Neda emërohet zëdhënëse e Aleancës Kuq e Zi, fansat shprehen kundër
Panorama Plus e Shtunë, 28 Janar, 2012 | 13:40 pm
Neda Karafili, ish-lojtare e “Big Brother 4”, është emëruar në postin e zëdhënëses së Aleancës Kuq e Zi, në konferencën e saj të parë për shtyp dhënë pak ditë më parë. Por shfaqja e saj e parë televizive si zëdhënëse është shoqëruar me komente aspak pozitive nga fansat, të cilët në shumë forume dhe facebook kanë shfaqur komente ku shprehin kundërshti ndaj këtij vendimi. E komentuar fillimisht për praninë e saj në Forumin Rinor të Partisë Demokratike, që para hyrjes në lojën e BB, tashmë Neda është pozicionuar në Aleancën e kuqezinjve, pjesë e së cilës janë bërë edhe disa artistë të njohur. Ky pozicionim i saj vjen pas botimit të librit të saj të parë “Archea”, botuar nga shtëpia Botuese OMSCA-1. Për librin me 152 faqe, ajo thotë në parathënie se: “Në këtë libër do të përpiqem t’jua rrëfej edhe juve Archenë. Timen”. Pra, në këtë libër të konceptuar me copëza prozash, në mënyrë të çrregullt, ajo zbërthente Archean, një nga konceptet e para që haset në leximin për lindjen e filozofisë, duke trajtuar lindjen, dashurinë dhe vdekjen. Neda është protagonistja e parë e BB që boton një libër, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe ajo është komentuar më së shumti për shfaqjen e vetes ne publik me profilin e ekzagjeruar të vajzës me pikëpamaje filozofike, dhe lidhjen me Ogrenin, një lidhje që pati shumë kundërshti nga banorët e tjerë dhe fansat e “Big Brother”.


























