200 kompani italiane në Tiranë/ Ahmetaj: Forumi, nxitje ekonimisë së vendit

Feb 17, 2018 | 9:02
SHPËRNDAJE

Shqipëria javën e ardhshme do të presë në një forum biznesi 200 sipërmarrje italiane, të cilat do të kërkojnë si partnerë bashkëpunimi sipërmarrësit shqiptarë. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, vlerësoi se mbajtja e forumit të biznesit Itali-Shqipëri, do të përforcojë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.

Arben Ahmetaj konference

“Mirëpresim me entuziazëm një nismë të kë- tyre përmasave të organizuar nga partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë, në një vit kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Do të jetë një mundësi për t’u shfrytëzuar më së miri nga të gjithë “, theksoi ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Nisma do të zhvillohet nga qeveria italiane. Ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo, tha se ky forum do të shërbejë në rritjen e prezencës së kompanive italiane në Shqipëri.

“Misioni i Sistemit është nisma e jashtme më e rëndësishme që Qeveria italiane organizon për të favorizuar ndërkombëtarizimin e kompanive italiane dhe do të ketë qëllimin e dyfishtë që të ofrojë një mundësi të jashtëzakonshme për të përkrahur aktivitete dhe investimet e reja italiane, si dhe për të konsoliduar praninë e shumë kompanive italiane tashmë të pranishme në Shqipëri”, deklaroi ambasadori i Italisë në Shqipëri Alberto Cutillo.

Në forum do të marrin pjesë 350 delegatë nga Italia, nga institucione, ente, shoqata, banka dhe rreth 200 sipërmarrje italiane, të cilat së bashku arrijnë një vëllim xhiroje mbi 17 miliardë euro dhe që do të takojnë mbi 200 sipërmarrje shqiptare të regjistruara në takimet B2B. Misioni italian që do të mbërrijë në Tiranë të dielën, udhëhiqet nga zv. ministri i Zhvillimit Ekonomik Ivan Scalfarotto.

Gjatë forumit do të organizohen edhe seminare të përqendruara te programet dhe instrumentet e financimit në rajon dhe tri tryeza sektoriale mbi fokuset e misionit – Infrastrukturat, në kuptimin më të gjerë (turizmi, spitalet, shkollat, transportet etj), Energjia dhe Green Tech dhe përpunimi ushqimor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura