2 marsi i të gjithë shqiptarëve

Feb 25, 2020 | 10:03
SHPËRNDAJE

ALEKSANDËR BIBERAJ

Aleksander-Biberaj

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka bërë thirrje për protestë mbarëkombëtare në datën 2 mars në mbrojtje  të Kushtetutës, jo vetëm si dokumenti themeltar i shtetit, por edhe si garantues i demokracisë dhe të drejtave themelore të njeriut. Kjo situatë krize kushtetuese është krijuar nga kapja e të gjitha pushteteve dhe institucioneve nga rilindja, e cila fatkeqësisht, që kur erdhi në pushtet, e kishte këtë strategji dhe tashmë po e zbaton në vazhdimësi me shumë gjakftohtësi, me mjaft përpikëri dhe sukses. Për hir të së vërtetës, këtu një “meritë të padiskutueshme” dhe “mbresëlënëse” kanë edhe ndërkombëtarët, ku me sa duket një pjesë e tyre e shohin dhe trajtojnë Shqipërinë si kavie eksperimentale, pasi ata bëjnë këtu gjëra që në vendet e tyre as kishin guxuar t’i imagjinonin e jo më t’i realizonin.

Kriza institucionale është rënduar edhe me shumë kohët e fundit nga veprimet tepër agresive, abuzive, falsifikuese, mashtruese dhe sfiduese të rilindjes për kapjen edhe të Gjykatës Kushtetuese. Parlamenti i jashtëligjshëm monopartiak amendoi në mënyrë flagrante dhe me tepër urgjencë Kushtetutën pa asnjë lloj konsultimi apo këshillimi as me konstitucionalistë, as me grupet e interesit, as me Presidentin e Republikës si garantues dhe mbrojtës i Kushtetutës, as me opinionin publik apo shoqërinë civile dhe as me ndërkombëtarët. Ky amendim që anashkalon Presidentin e Republikës në momentin kushtetues, juridik dhe ceremonial të betimit të anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, bie ndesh me vetë Kushtetutën dhe me të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë ndarjen, kontrollin dhe balancimin e pushteteve në Shqipëri.

Aq më tepër që, ndërkohë që palët i ishin drejtuar Komisionit te Venecias, qeveria në pabesi dhe errësirë të plotë, nuk priti as vizitën dhe as konkluzionet e Komisionit të Venecias, por u ngut ta miratoje në Parlament, një ditë përpara vizitës së Komisionit të Venecias, duke treguar jo vetëm një mungesë respekti, serioziteti dhe korrektese, por edhe një qëndrim shumë arrogant, ironik, cinik dhe tepër sfidues ndaj Komisionit të Venecias. Qeveria më e korruptuar, më e paaftë dhe më antikombëtare në kontinent, e zhytur në krime dhe skandale të njëpasnjëshme, vazhdon me kokëfortësi, arrogancë dhe prepotencë përpjekjet e saj për të kapur edhe fortesën e fundit të demokracisë, gurin e fundit të shtetit të së drejtës, që është Gjykata Kushtetuese.

Natyrisht që një qëndrim të tillë totalisht të papërgjegjshëm ta jep vetëm pushteti i pakufizuar monist, i pamerituar dhe i pakontrolluar, pushteti i krimit i siguruar me vota të vjedhura nga paratë e pista të mafies dhe grupeve të strukturuara kriminale dhe urrejtja që ky pushtet ka ndaj vendit të vet dhe qytetarëve të tij, të cilët po i largon me pahir çdo ditë, duke e boshatisur Shqipërinë, gjë që s’ia kanë bërë as pushtimet dhe pushtuesit gjatë historisë. 2 marsi nuk është vetëm beteja e kreut të shtetit me bandën në pushtet, por është beteja e çdo qytetari shqiptar, përfshirë edhe qytetarin Ilir Meta, me këtë organizatë kriminale. 2 marsi është beteja për të mbrojtur Kushtetutën, për të mbrojtur republikën, për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë, për të mbrojtur të drejtat tona që i fituam jo pa sakrifica 30 vjet më parë kur përmbysëm komunizmin, pas 46 vitesh mohimi të këtyre të drejtave nga diktatura çnjerëzore komuniste.

Qytetarët shqiptarë mund ta duan apo jo Presidentin apo politikanin Ilir Meta, mund ta kenë votuar apo jo, mund ta respektojnë apo jo, kjo sot s’ka pikë rëndësie, pasi atë që po bën Ilir Meta sot mund ta bënte çdo qytetar shqiptar nëpërmjet rrjeteve sociale, siç e kanë bërë dhe e bëjnë në Angli, Gjermani, Francë, Itali apo vendet e tjera të zhvilluara, por ja që fatkeqësisht, këtu nuk funksionojnë gjërat kështu se jemi “fare pak pas” anglezëve, gjermanëve, francezëve apo italianëve, si individë dhe si shoqëri. Çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se kjo nuk është beteja e Ilir Metës dhe as nuk vjen në shesh për Ilir Metën, por realisht situata është tepër e rëndë, alarmante dhe jemi buzë greminës, aq më tepër kur alarmi vjen nga kreu i shtetit.

Zëra nga pushteti i inkriminuar citojnë në mënyrë qesharake, por edhe cinike frazën standarde që “pushteti nuk mund t’i bëjë puç vetvetes”, dhe kjo “është e vërtetë për rilindasit”, pasi ata (pra, pushteti legjislativ që është njësh me ekzekutivin) nuk po i bëjnë puç vetvetes (pra, as pushtetit legjislativ dhe as atij ekzekutiv), por rilindja në fakt po i bën puç shteti pushtetit gjyqësor, gjë që do të shënonte edhe fundin, rënien e shtetit dhe të demokracisë dhe ky do të ishte një puç shteti ndaj çdo qytetari shqiptar dhe ndaj çdo të drejte dhe lirie tonë themelore.

Protesta e 2 marsit i tejkalon përmasat, filozoftë dhe ideologjitë politike, pasi do të protestohet për të mbrojtur Kushtetutën dhe aty do të vijnë qytetarë nga gjithë Shqipëria, qytetarë të të gjitha bindjeve politike apo edhe pa bindje politike, do të vijnë profesorë universiteti dhe studentë, arsimtarë, mjekë dhe infermierë, biznesmenë që po falimentojnë nga taksat e panumërta dhe korrupsioni shtetëror, minatorë, naftëtarë, fermerë, peshkatarë, taksistë, pensionistë, emigrantë, të rinj dhe të reja, burra dhe gra. Është mision fisnik dhe detyrim patriotik për çdo shqiptar që të mbrojmë Kushtetutën dhe demokracinë tonë, pasi kështu mbrojmë shtetin e së drejtës, mbrojmë Shqipërinë dhe të ardhmen tonë euroatlantike, mbrojmë të ardhmen e fëmijëve tanë dhe kjo duhet bërë më 2 mars, pasi më vonë do të jetë tepër vonë.

Ndërkombëtarëve do t’u bëja një thirrje krejt miqësore dhe tepër të sinqertë, që të mbrojnë edhe në Shqipëri parimet themelore të demokracive të tyre perëndimore, që janë shteti i së drejtës, demokracia dhe të drejtat e njeriut të sanksionuar në një sërë kartash dhe traktatesh ndërkombëtare. Ishin këto kolona bazë, mbi të cilat u ngritën të gjitha institucionet euroatlantike nga zjarri, shkrumbi, hiri dhe tymi i diktaturës nazifashistë pas Luftës së Dytë Botërore, siç janë Këshilli i Europës, Bashkimi Europian, NATO apo OSBE. Për këto parime të shenjta, në Shqipëri dhe në vendet e tjera ish-komuniste u sakrifikuan gjenerata të tëra, si dhe me mijëra e mijëra njerëz u vranë, burgosën, internuan apo persekutuan për gjysmë shekulli me radhë. Përfaqësuesit e politikes amerikane dhe asaj europiane nuk duhet të intimidohen dhe as të tundohen nga qeveria, por ta frenojnë sot atë në marrëzitë e veta të pafundme, pasi nesër do të jetë tepër vonë.

Ata duhet të mbajnë dhe mbrojnë ato qëndrime parimore, ligjore dhe etike që zbatojnë edhe në vendet e tyre, në mbrojtje të vlerave më të mira të modelit të demokracive perëndimore, ku ne kemi 30 vite që aspirojmë dhe përpiqemi që të arrijmë. Kush do të guxonte në SHBA, Gjermani, Francë, Itali apo vende të tjera europiane që të prekte sadopak Kushtetutën, që ka mbrojtur dhe mbron demokracitë perëndimore ndaj çfarëdo lloj rrebeshesh për dekada dhe shekuj me radhë.

Kam shpresë dhe besim të plotë te ndërgjegjësimi i ndërkombëtarëve, me qëllim që Shqipëria të mos bjerë në humnerën e regjimeveklika, komplet të inkriminuara dhe të korruptuara, siç ramë në 1944 dhe nga ku dolëm në 1990 të rrënuar moralisht dhe materialisht, me kosto të jashtëzakonshme, me breza të humbur dhe me mijëra viktima. Pa pritur me sytë nga deti zbarkimin e aleatëve, siç pritën prindërit dhe gjyshërit tanë 50 vjet, do të shprehja shpresën dhe besimin e jashtëzakonshëm te qytetarët shqiptarë, që siç u bashkuam në dhjetorin ‘90, do të bashkohemi edhe më 2 mars, pa dallim feje, krahine dhe ideje, për të mbrojtur Kushtetutën tonë me çdo kusht, mjet demokratik dhe çmim, ashtu siç kanë bërë dhe bëjnë gjithmonë kombet e civilizuara, pasi klikat dhe regjimet shkojnë e vijnë, por kombet mbeten!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura