“1984”, libri profetik i Orwell: Kujdes, vëllai i madh po ju vëzhgon!

Oct 22, 2020 | 8:59
SHPËRNDAJE

“Për të ardhmen apo të shkuarën, për kohën kur mendimi do të jetë i lirë, kur njerëzit të jenë të ndryshëm njëri nga tjetri dhe të mos jetojnë të vetmuar – për kohën kur do të jetojë e vërteta dhe ajo që bëhet, të mos zhbëhet: Nga epoka e uniformitetit, nga epoka e vetmisë, nga epoka e ‘Vëllait të Madh’, nga epoka e dymendimit – tungjatjeta!”…

1984

A do mundemi ndonjëherë? Kësisoj mendimesh u kalonin shqiptarëve nëpër mend për gati 5 dekada izolim, kontroll mendimesh, dhunë, ndalim qarkullimi, ndalim fjale.. Epo, ishte diktaturë. Në vitin 1949, kur në Shqipëri tashmë ishte vendosur diktatura komuniste, George Orwell botonte librin “1984”.

I dukej kaq i largët ky vit, si ata filmat fantastiko-shkencor, që shihnim dekada më parë e flisnin për hatanë që do të ndodhte në vitin 1999 apo për fundin e botës në vitin 2000. Në fakt, hataja nuk ndodhi asokohe, edhe pse një lloj “hataje” jemi duke e përjetuar tanimë me gjithfarë pandemish e kusuresh, që duket se natyra po na i kthen pas si rebelim për gjithë mëkatet tona ndaj saj.

Ndërsa “1984”-a e Orwellit do të jetë përgjithmonë. Ishte e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e tij, por njëkohësisht e shkuara jonë dhe me shumë gjasë e tashmja dhe e ardhmja për brezat që do të vijnë. “1984”-a e Orwellit, ky libër i të gjitha kohërave, për fatmirësinë e librit dhe fatkeqësinë njerëzore, vjen në shqip nën përkthimin e Sokol Çungës dhe botimin e shtëpisë botuese “Pegi”, duke i bërë një të mirë shoqërisë, për të na folur për totalitarizmin, për diktaturën, për të na hapur sytë e paralajmëruar se “1984”-a është mes tonë. Nuk është detyrimisht një regjim politik, që dhunon fjalën e lirë, që ngre gishtin e akuzës mbi këdo që ka një mendim ndryshe, që merr peng jetët e qytetarëve me politika të dyshimta, që “investon” mbi paditurinë si mjet pushteti…

“Vëllai i madh”, që brezi i pas ’90-ës e identifikon me një program argëtues, është rrotull nesh dhe ndërhyn në jetët tona përmes formash të pranuara me dëshirë nga njerëzit, si një trend i ri, që kthehet në robëri e kontroll. A nuk është edhe teknologjia, rrjetet sociale, një diktaturë e mirëpranuar nga ne të gjithë, një “vëlla i madh”, që e kemi futur me qejf në shtëpi e i kemi hapur çdolloj intimiteti?! Orwell na këshillon të jemi syçelët! Por duket se përderisa shoqëria vazhdon të përsërisë të njëjtat gabime, “1984”-a duhet rilexuar me detyrim.

“Papritur, romani i Orwell-it na duket shumë i njohur. Është një botë ku Vëllai i Madh vëzhgon vazhdimisht dhe mjetet e teknologjisë mund të përgjojnë deri në shtëpitë e njerëzve; një botë me luftëra pafund, ku frika dhe urrejtja drejtohen ndaj të huajve; një botë ku qeveritë ngulin këmbë se realiteti nuk është “diçka objektive, e jashtme, e vetëqenësishme” por “ajo që Partia beson si të vërtetë, ajo është e vërteta”, shkruan “The New York Times”; “Romani i Orwellit është një paralajmërim për racën njerëzore. Ai thekson rëndësinë e qëndresës përballë kontrollit të masës dhe shtypjes”, thekson “The Guardian”; “Orwell e krijoi personazhin e O’Brajënit për të paralajmëruar njerëzit nga intelektuali që e josh pushteti në mënyrë sadiste”, vëren “The New Yorker”; ndërsa Erich From na zgjon: “‘1984’ nuk u shkrua vetëm për hir të stalinizmit apo për diktaturat në përgjithësi, por thjesht dhe vetëm për qeveritë. Edhe qeveritë më paternaliste dukeshin si pjesë e 1984-ës dhe fraza “Vëllai i Madh po të vëzhgon” përfaqësonte çdo gjë që ishte jashtë kontrollit të individit”.

LIBRI

“1984” është një roman distopik i shkrimtarit anglez George Orwell. “Vëllai i madh po të vëzhgon” është parulla që lindi prej këtij libri, i cili shumë shpesh është quajtur “roman despotik”, ku një qeveri autoritare shikon dhe kontrollon gjithçka. Ai është një vizion i zymtë i së ardhmes, që shpie në pasojat ekstreme të kushteve dhe prirjeve totalitare të botës aktuale. Regjimi totalitar i Vëllait të Madh, që vëzhgon vazhdimisht gjithkënd dhe gjithçka nëpërmjet ekraneve të panumërta, ushtron kontrollin absolut mbi veprimet dhe ndërgjegjet e njerëzve. Gjithçka i shërben pushtetit. Librat, gazetat, arkivat dhe mendjet falsifikohen pareshtur, sepse “kush ka në dorë të shkuarën, ka në dorë të ardhmen; kush ka në dorë të tashmen, ka në dorë të shkuarën”.

Uinston Smith është nëpunës në Ministrinë e së Vërtetës, e cila i përkushtohet përditësimit të vazhdueshëm të historisë për t’iu përshtatur rrethanave të sotme dhe aleancave të brishta. Ai bashkë me kolegët e tij mbahen nën mbikëqyrje si një masë kolektive nga prania e kudogjendshme e Vëllait të Madh, që sheh dhe di gjithçka. Në romanin “1984”, ekranet e televizorit të vëzhgojnë dhe të gjithë përgjojnë njëri-tjetrin. Krimmendimi është “mëkati” që sjell vdekjen, prandaj gjithçka që ndihmon krimmendimin duhet të zhduket: liria, gjuha, ndjenjat.

Me shumë mjeshtëri, George Orwell-i eksploron temat e kontrollit të masmedias, survejimin e qeverisë, totalitarizmin dhe metodat e një diktatori për të manipuluar dhe kontrolluar historinë, mendimet dhe jetën e njerëzve në mënyrë të atillë që askush nuk i shpëton dot.

“1984”, një nga kryeveprat e letërsisë së shek. XX, është lexuar si manifest dhe si profeci njëherazi. Ende te lexuesi i sotëm vjen si thirrje për të jetuar pa kompromis, por edhe sikur na paralajmëron të vërtetën e ankthshme, se shtetit terrorist që mbjell vdekje është vetëm një hap larg të kthyerit në realitet: Vëllai i Madh tashmë po na vëzhgon!

MBI AUTORIN

George Orwell, emri i vërtetë i të cilit ishte Eric Arthur Blair, ishte shkrimtar, eseist, gazetar, aktivist dhe kritik letrar britanik. Ai ishte një prej eseistëve më të ndritur të kohës së vet dhe kundërshtar i çdo forme totalitarizmi. U bë i njohur kryesisht për dy romane, në të cilat shkrihet angazhimi politik dhe pasioni letrar: “Ferma e kafshëve”, një satirë therëse e retorikës sovjetike për barazinë; dhe “1984”, roman që përshkruan me tone apokaliptike një botë imagjinare në një të ardhme jo të largët, një roman fantastiko-politik, prej të cilit lindi dhe cilësimi “oruellian”, që sot përdoret gjerësisht për të përshkruar mekanizma të ndryshme totalitare të kontrollit të mendimit.

Si polemist i kthjellët dhe antikonformist që ishte, Orwell-i nuk i kurseu kritikat as ndaj inteligjencies socialiste angleze, përballë së cilës ndihej krejt i huaj. Ai ishte dhe mbeti deri në fund socialist i bindur, por ndërgjegjësimi, edhe për shkak të përvojave tragjike personale, për kontradiktat e thella dhe gabimet fatale të vijës së ndjekur në Bashkimin Sovjetik, nën drejtimin e Josif Stalinit, e nxiti që të përqafonte një antisovjetizëm të flaktë, duke u përplasur kështu me një pjesë të rëndësishme së të majtës europiane të asaj kohe. Në 1946, shkroi: “Çdo rresht të çdo vepre serioze që kam shkruar nga 1936 e këtej, e kam shkruar direkt ose indirekt kundër totalitarizmit dhe pro socializmit demokratik, ashtu siç e mendoj unë.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura