197 prezenca sot, Ronaldo vendos rekordin historik me kombëtaren

Mar 23, 2023 | 10:18
SHPËRNDAJE

“Nuk jam unë që i ndjek rekordet, janë ato që më ndjekin mua”. Shprehej kështu Kristiano Ronaldo disa vite më parë dhe ndoshta kishte më shumë se të drejtë. Sepse ylli portugez, i rikthyer në kombëtare, tashmë nën drejtimin e një trajneri të ri si, Roberto Martinez, përgatitet që sot të vendosë rekordin historik të radhës, për sa i përket atyre me përfaqësuesen.

ronaldo

Pasi theu dhe po e dërgon në shifra stratosferike rekordin e golave që i mori me meritë iranianit Ali Daei, mbrëmjen e sotme, në sfidën e parë eliminatore për “Euro 2024” kundër Lihtenshteinit, Ronaldos i mjaftojë qoftë edhe 1 sekondë në fushën e lojës për të çuar prezencat e tij me kombëtaren portugeze në 197 takime dhe do të vendosë kështu rekordin e ri.

Deri më sot, ai ndan poltronën me kuvajtianin AlMutava, por nga sot Kristiano do të bëhet futbollisti me më shumë prezenca në përfaqësuese në historinë e futbollit dhe ky fakt, por edhe ndryshimi në stolin e Portugalisë, duket se e kanë “rinuar” 38-vjeçarin, që tashmë luan tek Al-Nasr në Arabinë Saudite.

11

Dhe pikërisht nga aventura e fundit e nis deklaratën e tij në konferencën e djeshme për shtyp.

“Ndihem mjaft mirë. Po të mos ishte kështu, nuk do të isha këtu. Jam në një kampionat shumë konkurrues… Duhet parë në një mënyrë tjetër kampionati i Arabisë Saudite… Normal, nuk po them që është Premier Liga, pasi do të gënjeja nëse do ta thosha një gjë të tillë, por është konkurrues. Më ka çuditur në mënyrë pozitive. Ka skuadra të mira, është i ekuilibruar, lojtarët arabë janë të aftë, të huajt i japin më shumë cilësi. Ndoshta do të bëhet, brenda 5 apo 6 vitesh, kampionati i 4-t apo i 5-të në botë”, theksoi ylli portugez, i cili ndonëse pranoi se kishte menduar tërheqjen nga kombëtarja e vendit të tij, kishte vendosur në fund që të vazhdonte.

“Roli im në kombëtare, në 10-15 vitet e fundit, ka qenë gjithmonë i njëjti. Nëse më duan, do të jem gjithmonë këtu. Motivimi im është i pandryshueshëm, vit pas viti, është njëlloj sikur të ishte hera e parë. Unë dashuroj të luaj me ekipin kombëtar. Kanë kaluar 10 vite dhe të jem këtu nuk është e thjeshtë, ndaj jam shumë i lumtur. Nëse ekipi kombëtar më cilëson si një aset, do të bëj gjithmonë më të mirën time për të ngjitur Portugalinë në nivelet më të larta, bashkë me shokët e mi të skuadrës. Kjo është shtëpia ime dhe mbi të gjitha, sivjet fryn një erë e re, një erë e freskët, e cila vjen falë edhe trajnerit të ri. Unë nuk e di nëse gjërat do të shkojnë më mirë apo më keq, por e sigurt është që nga ndryshimi gjithmonë fiton diçka”, theksoi Ronaldo në konferencën për shtyp.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura