18 vjet pas 14 shtatorit/ Izet Haxhia: Ju tregoj si u organizua grushti i shtetit

Sep 14, 2016 | 21:40
SHPËRNDAJE

Izet Haxhia ka një mesazh për gjithë të rinjtë e sotëm, u kërkon atyre që të mos tregohen qorra dhe të mos helmohen me atë frymë të përçarjes që u helmua brezi i tij pas ’92-it. Në një intervistë për DITA, ish-truproja i presidentit e kryetarit të PD-së Sali Berisha, kujton 14 shtatorin, 18 vjet më pas.

Izet Haxhia2

Sipas tij, grushti i shtetit ishte koordinuar me Meidanin. Ai flet për rolin e Kaç Islamit, i përgjigjet Blerim Çelës dhe ndan një këshillë për të rinjtë të korpusit “Azem Hajdari”.

-Izet, sinqerisht, këtu e dy vjet më parë kur kontaktove me DITA-n dhe vendose të flasësh, a ke bërë njëfarë bilanci me veten: Bëra mirë që fola e po flas apo jo?

Me të thënë të drejtën, me veten ndihem mirë e i lehtësuar që në sajë edhe të gazetës Dita arrita të ndaj me shqiptarët, të vërtetat që dija, mëkatet e mia, krimet e atij që i shërbeva me besnikëri, qoftëlargut. Jo se nuk diheshin disa prej tyre, por të rrëfyera nga ana ime, me vërtetësinë e një dëshmitari të gjallë e pjesëmarrësi në to.

Dëgjo, kam dëgjuar lloj-lloj sharjesh, ofendimesh e shpifjesh në drejtimin tim, pa harruar edhe kërcënimet anonime. Nuk jam penduar as lëkundur, për ta çuar deri në fund luftën time për të vërtetën. Më pëlqen shumë fjala e At Zef Pëllumbit, që thotë: Rrno për të treguar. Dhe unë këtë po bëj, në sajë edhe të gazetës suaj. Do ta bëj, edhe pse i vetëm, do rroj për të dëshmuar e treguar.


-A e di ç’datë është nesër?

Ehh, 14 shtatori. Se ku lexova një deklaratë të Blerim Çelës se nuk kishte qenë grusht shteti 14 shtatori 1998. Sepse sipas tij, nuk u pushtua presidenca, dhe ndaj nuk mund të quhet i tillë!

-Ti ke qenë protagonist në atë ngjarje dhe përgjigjen mund ta dish ti më mirë se kushdo. Vërtet, pse nuk u konsiderua “e rëndësishme” presidenca?

Ashtu siç e kam thënë më parë, në fakt 13 shtatori ishte prova e grushtit të shtetit që u finalizua më 14 shtator, me pushtimin e institucioneve më të rëndësishme si RTSH, kryeministria etj. Nuk ishte grusht shteti, thotë Blerimi, sepse nuk u pushtua presidenca. Unë desha të shtoj se presidenca nuk u pushtua sipas direktivës së Berishës.

-Pse kështu?

Sepse siç treguan edhe disa veprime politike të fund-korrikut të sivjetëm, klani i Fakultetit të Shkencave drejtuar nga Meidani ka qenë në unison me Berishën në grushtin e shtetit në 14 shtator. Të mos harrojmë se më 13 shtator ishte zëvendëskryeministri Kastriot İslami, përfaqësues i këtij klani, që i la sipër tavolinës së Nanos zarfin me plumbin e kallashnikovit. Kjo ishte një kërcënim i hapur për Nanon, që po nuk iku nga kryeministria, do të vritej. Dhe sot Kaçı i Zi na është bërë më blu edhe se Mul Noka. Unë po të them se më 14 shtator ka pasur një plan të mirëorganizuar për të rrëzuar një qeveri të ardhur me zgjedhje, dhe krijimin e një qeverie të “tipit Fino” të marsit ‘97. Ka qenë një plan i armatosur ku ishte planifikuar me saktësi se kush do goditej, nga do vinin armët apo tanket që na u dhuruan nga Garda.

-Por dështoi…

Shiko, dështoi sepse ishte faktori ndërkombëtar dhe bile, edhe miqtë e Berishës në Amerikë, që e këshilluan atë të tërhiqej, dhe jo dëshira e Berishës. Është ironia më e madhe që ai që shkatërroi ëndrrat e miliona shqiptarëve që nga ’90-ta e këtej, na del dhe u uron fillimin e shkollës atyre të rinjve që kanë mbetur akoma në atdhe. Atyre 18 vjeçarëve që sapo kishin lindur në 98-n. Ai i pari e politikanët e tjerë pas tij, e kthyen Shqipërinë në një vend të pabanueshëm, ku sundon krimi, korrupsioni e zvetënimi moral, varfëria dhe arroganca. Dhe fajtori kryesor është babai i Zenit që vazhdon të tallet me shqiptarët e varfër që i konsideron si skllevërit e çiflikut të tij.

-Grushti ynë i 1998-s dhe puçi që ndodhi në Turqi në korrik… Sikur të ndjekin këto ngjarje…

Po s’ka krahasim… Nanon e shkretë e akuzuan për vrasjen e Hajdarit, kur njeriu më i painteresuar për këtë vrasje ishte Nano. Por Nano duhet të ikte sepse preku interesat e klanit të Shkencave të Natyrës. Në një bisedë në rrethin e tij të ngushtë, Nano pat deklaruar se “nuk na lanë të bënım pak para duke më bërë puçin e 14 shtatorit”. Sepse kjo është filozofia e pushtetit që ndërtuam.

Sa për atë zhvendosjen gjeografike dhe aktorin e synimit të rrëzimit me grusht shteti… Berishës po t’i shkonte në mendje një marrëzi e tillë ku përballë do kishte Erdoganin e jo Nanon, e them me bindje se do ishte Berisha ai që do t’i hypte gomarit apo mushkës që i hypi Nano për t’u arratisur në Maqedoni. Dhe as këtë s’do ta kishte të sigurtë…


-Izet, 14 shtatori lidhet me edhe emrin e Azem Hajdarit. Sot figuron një “korpus Azem Hajdari”, për të cilët kam parë nga komentet se ti ke marrë dijeni. Ata të rinj ishin të pranishëm edhe në fushatën e Dibrës. A do t’u thoshe diçka atyre?

Të mendosh akoma të krijosh korpuse apo paramilitarë, çfarëdo të jetë qëllimi i krijimit të tyre, tregon mendësinë kriminale e terroriste të ideatorëve të tyre. Që janë Basha me gjyshin e tij Berisha. Shqipëria nuk ka nevojë për mendësi strukturash të tilla. I takojnë të kaluarës e nuk kanë të ardhme. Unë u them këtyre të rinjve, që të mos gënjehen me sloganet e krijuesve të tyre mbi armiq imagjinarë. Të mos tregohen të qorruar, bindjet mund t’i keni të kundërta por në në radhë të parë jemi shqiptarë e vëllezër. Mos u helmoni me atë frymë të përçarjes që u helmua brezi jonë pas ’92-it. Vendi ka vuajtur e po vuan akoma edhe sot, pasojat e asaj fryme që mbolli Berisha. Jo vetëm Berisha, por dhe vetë ai që emrin e tij e mbajnë të shkruar në xhupat e zinj.

Një këshillë modeste: Në vend të atyre xhupave të zinj të mbajnë çantën e shkollës dhe librave. Në politikën e vërtetë hyn vetëm duke mësuar, vetëm me ide e projekte zhvillimi në kokë, dhe jo me ide dhune e dajaku. As me frymën e urrejtjes nën emra organizatash paramilitare, pseudoheronjsh e terroristësh….

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura