15-vjeçarja e mbytur, i ati i bërtiti pas fjalëve se dilte me një djalë

Aug 31, 2015 | 7:30
SHPËRNDAJE

I kërkojnë llogari pse u pa në fshat me një djalë, gjendet e mbytur 15-vjeçarja. Dyshohet se Xh.Z. ka zgjedhur të vetëflijohet pas debatit me familjarët. Vajza ishte zhdukur prej datës 26 gusht, por tri ditë më vonë u gjet nga peshkatarët e fshatit Balldre të Elbasanit, në rezervuar.

Foto Ilustruese
Foto Ilustruese

Dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në të njëjtën ditë kur prindërit konstatuan largimin nga banesa të 15- vjeçares, por pa e ditur fundit tragjik të saj. E mitura u gjet rastësisht nga disa peshkatarë, rreth një kilometër larg fshatit ku dhe banonte.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e datës 26 të muajit gusht, ku sipas Policisë mësohet se mes adoleshentes dhe babait të saj ka pasur një debat, dhe ky i fundit i ka bërtitur vajzës, duke e ndaluar që të dalë edhe nga pragu i derës.

Por vetëm pas disa orësh është vënë re mungesa e vajzës në shtëpi. Familjarët pasi kanë kërkuar në të gjithë banesën si edhe oborrin e shtëpisë, kanë dalë edhe nëpër fqinj, në fshatin Bradashesh. Duke mos parë asnjë gjurmë të saj, atëherë babai i vajzës pasditen e datës 26 gusht ka shkuar në Komisariatin e Policisë, ku edhe ka bërë kallëzim për largimin e vajzës nga shtëpia.

Menjëherë nisën kërkimet për të gjetur vendndodhjen e vajzës. Policia mori në pyetje shoqet e saj, si dhe një djalë, bashkëfshatarin e saj, në shoqërinë e të cilit ishte parë disa herë… Ndërsa hetimet vazhdonin për vendndodhjen e vajzës, pasi Policia nuk po haste ndonjë dyshim deri në çastin e fundit mësohet se kanë qenë disa peshkatarë të rastit të rezervuarin e fshatit Balldren, ata të cilët kanë identifikuar një kufomë në cep të rezervuarit.

Ata kanë lajmëruar menjëherë banorët e fshatit e më pas Policinë, ku edhe kjo e fundit e identifikoi se trupi i pajetë i përkiste 15- vjeçares të larguar nga banesa. Grupi hetimor, si edhe mjekët e ekspertizës ligjore, në fund të hetimeve konstatuan se në trupin e vajzës nuk ka asnjë shenjë dhune dhe se mendohet se ajo është hedhur me vetëdije në rezervuar, me vendimin që t’i japë fund jetës.

Madje mësohet se vajza e ndodhur në presionin e familjes, në kushte depresive të momentit ka vendosur t’i japë fund jetës së saj. Sipas banorëve të zonës, mësohet se babai rastësisht ka mësuar në fshat se e bija ishte parë në fshat me një bashkëfshatarin e saj. Asnjëherë nuk u vërtetua se në mes të vajzës dhe djalit kishte një lidhje, por nga familja nuk është pranuar.

I ati i ka bërtitur vajzës që të mos angazhohet me lidhje dashurie, por të jetë e përqendruar te shkolla që nis pas disa ditësh. Duket se vajza e prekur në sedër nga fjalët, por dhe urdhri për të mos dalë nga shtëpia, ka bërë të kundërtën. Ajo ka dalë fshehtas, pa u ndaluar dot në ngjarjen që i shkaktoi humbjen e jetës.

M. Sadiku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura