13 organizata thirrje për masa kundër dhunës në familje

Mar 8, 2020 | 11:57
SHPËRNDAJE

Duke mbarë shkas nga viktimat e regjistruar rishtazi për shkak të dhunës në familje organizatat pjesë të rrjetit të monitorimit kundër dhunës me bazë gjinore bëjnë thirrje për reagim nga institucionet përgjegjëse dhe shoqëria.

dhune gra

“Dhuna në familje është tashmë një krizë e shoqërisë sonë, por shpesh ajo shndërrohet në një emergjencë kombëtare. Kur vdekja vjen nga dhuna në familje, zija mbulon të gjithë shoqërinë,” shprehen organizatat.

“Reagimi ynë si shoqëri është i rëndësishëm jo vetëm për parandalimin e dhunës, por edhe për të kërkuar llogari ndaj institucioneve që kanë detyrë të parandalojnë dhunën në familje,” shtojnë ato.

Dhuna në familje mbetet një problem madhor në shoqërinë shqiptare. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave nga viti 2013 deri në vitin 2018 janë evidentuar në polici 22700 raste të dhunës në familje.  Gjatë të njëjtës periudhës janë dhënë 14258 urdhra mbrojtje dhe janë regjistruar 118 viktima.

Rrjeti i organizatave të monitorimit kundër dhunës me bazë gjinore, i bënë thirrje klasës politike dhe institucioneve të larta të vendit të bëjnë kujdes dhe të kthejnë vëmendjen e duhur ndaj krizës që po sjell përditë për shoqërinë shqiptare dhuna në familje

“Të shqetësuar vetëm për çështjet e qeverisjes, harrojnë që ky fenomen e gërryen një shoqëri të shëndoshë, më tepër se fatkeqësitë e tjera,” shkruajnë organizatat.

“Por, mbi të gjitha, sherrnaja politike dhe gjuha e urrejtjes, nxisin sherret e dhunën në familje,” shtojnë ato.

Letra i drejtohet gjithashtu institucionet ligjzbatuese të masave kundër dhunës në familje, që të zbatojnë ligjet dhe masat e reja kundër dhunës në familje të miratuara 2 vjet më parë.

“Të mbytur nga kompetencat e mbivendosura dhe paragjykimet e shumta, profesionistët tërhiqen nga zbatimi i sanksioneve të ligjit,” shprehen organizatat.

“Institucionet janë krejt të paafta të bashkëpunojnë me njëri tjetrin në mekanizmin kundër dhunës,” shtojnë ato.

Organizatat i bëjnë thirrje institucioneve të ndjekjes penale që të mos fshihen pas urdhrave të mbrojtjes, duke u qarë se nuk gjejnë prova për procesin penal. Ato shtojnë se Policia e Shtetit ka humbur strukturat e specializuara vetëm për zbatimin e ligjit kundër dhunës në familje.

Në përfundim organizatat i bëjnë thirrje dhe shoqërisë ta forcojë zërin kundër dhunës në familje.

“Vetëm në këtë mënyrë, jo vetëm denoncojmë rastin e dhunës, por denoncojmë edhe heshtjen e institucioneve,” shprehen ato, duke shtuar se “kështu forcojmë edhe kërkesën e llogarisë sonë, kur institucionet heshtin ose hezitojnë.”

/Birn/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura