Kreditet, pezullohen 800 mjekë për paaftësi në punë. Beqaj: Afat 6 muaj për provimin e certifikimit, largohen mbetësit

Feb 28, 2015 | 17:00
SHPËRNDAJE

Rreth 800 punonjës të shëndetësisë do të jenë në punë deri në datën 15 prill. Një ditë më vonë, urdhrat e profesionistëve do t’i shpallin vakante vendet e tyre.

Shifra mbi performancën e shtimit të diturive të mjekëve

Kjo për shkak se këta punonjës të shëndetësisë, nga të cilët 5% mjekë, 20% dentistë dhe 6% farmacistë janë vlerë- suar me zero kredite në programin e edukimit në vazhdim, për pasojë konsiderohen të paaftë për të vazhduar me ushtrimin e profesionit.

PEZULLIMI

Ministri i Shëndetësisë e cilësoi si emergjente këtë situatë. Beqaj tha se lista nominale do të shpallet në datën 15 prill. Ndërkohë do të ndërmerret masa e pezullimit edhe për 2679 punonjësit e tjerë që nuk kanë marrë numrin e duhur të krediteve, por kanë bërë një përpjekje, që do të thotë kanë marrë një numër të caktuar kreditesh por jo sa ishte e përcaktuar.

Ky kontingjent do t’i nënshtrohet një provimi, i cili do të mbahet brenda 6 muajve. Nëse nuk arrijnë të kalojnë në provimin e ricertifikimit, këta mjekë do të jenë të detyruar gjithashtu të lenë vendin e punës.

“Jemi para një emergjence kombëtare. Në zbatim të atyre çfarë janë vendosur në vitet kur ky proces ka filluar, profesionistët e shëndetësisë që nuk kanë marrë kreditet, nuk mund të vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre. Të thuash që 1/3 e trupës së profesionistëve të shëndetësisë në vend nuk mund ta ushtrojnë më profesionin, është një gjë shumë e rëndë. Deri më 15 prill, ne do të kemi shpallur listën nominale të gjithsecilit që s’i ka marrë kreditit. Po në të njëjtën ditë, QKEV do t’i çojë urdhrave të profesionistëve, listën e profesionistëve që kanë zero kredite dhe atyre me zero automatikisht nuk u lejohet më ta ushtrojnë profesionin, tha Beqaj.

SITUATA

Gjatë një konference për shtyp, ministri i Shëndetësisë së bashku me drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, Entela Shehu, prezantuan të dhënat për punonjësit e shëndetësisë në përfundim të ciklit 5- vjeçar të programit për edukimin në vazhdim. Nga tabelat e prezantuara, vihet re që pjesa më e madhe e mjekëve që nuk kanë përmbushur detyrimin e krediteve janë të përqendruara në kryeqytet, në rrethin e Pogradecit, Sarandës, Vlorës, Gjirokastrës dhe Lushnjës.

Ndërkohë janë pasqyruar të dhënat të kategorizuara në bazë të specialiteteve. Kështu, pjesa më madhe e mjekëve të specializuar në Pediatri, Kirurgji dhe Neurologji nuk është vlerësuar pozitivisht në programin e edukimit në vazhdim. Pjesa dërrmuese e punonjësve të shëndetësisë që nuk ka marrë kreditet e mjaftueshme është e përqendruar në shërbimin parësor. Situatë e rënduar paraqitet edhe në spitalet private, për të cilët gjithashtu do të ndërmerret masa e pezullimit për mjekët që u vlerësuan me zero kredite. “Në privat, ata që janë me zero, u çojmë informacion urdhrave dhe urdhrat ua pezullojnë ushtrimin e profesionit”, tha më tej Beqaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura