125 USD për ilaçet kundër COVID-19/ Ja si do të përfitohet rimbursimi dhe çfarë përmban

Nov 20, 2020 | 7:52
SHPËRNDAJE

ADA AZIZOLLI/ Për të përfituar nga paketa e barnave me rimbursim, pacientët me COVID-19 nuk e kanë të nevojshme që të paraqiten fizikisht në qendrën shëndetësore për të marrë recetën.

Pasi të kenë kontaktuar me mjekun e familjes, receta do të lëshohet elektronikisht dhe tërheqja e barnave mund të bëhet në farmaci me kodin përkatës. Një ditë pas miratimit në qeveri të vendimit për rimbursimin e paketës së barnave për pacientët me COVID-19 që janë në me simptoma të lehta dhe të mesme, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë detaje për mënyrën sesi do të përfitohet kjo mbështetje.

“Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për të rimbursuar të gjithë pacientët me COVID-19 që trajtohen në mënyrë ambulatore në shtëpi. Do të përfitojnë të gjithë qytetarët qoftë nëse janë të siguruar, qoftë nëse nuk janë të siguruar. Nga sot (dje) ka filluar të funksionojë si skemë mjekimi në të gjithë strukturat tona të kujdesit parësor. Vlera e rimbursimit e paketës së barnave për të dy skemat e mjekimit është 125 dollarë. Mjeku i familjes është ai që përcakton barnat, edhe sa i përket fazës së trajtimit është mjeku i familjes që vlerëson në çfarë faze të sëmundjes është qytetari me COVID-19. Edhe sa i përket ekzaminimeve është sërish mjeku i familjes që përcakton kur bëhen ekzaminimet”, tha Manastirliu.

rimbursimi

SKEMA

Doktoreshë Bruna Shiroka vuri në dukje po ashtu se kontakti i parë është mjeku i familjes dhe se procedura që do të ndiqet në këtë rast është e njëjtë me atë të barnave me rimbursim që ofrohen sot për kategoritë në nevojë.

“Pra, është e udhës që në momentin e parë të shfaqjes së një shqetësimi dhe dyshohet për koronavirus të kontaktohet me mjekun e familjes. Vlerësimi në ecuri përcakton edhe skemën e mjekimit që bëhet përmes sistemit elektronik, pa qenë nevoja të shkoni fizikisht në ambulancë. Procedura është e njëjtë me atë të listës së barnave me rimbursim. Receta mundësohet në sistem dhe më tej vijon procedura e rimbursimit në farmaci”, tha doktoresha.

Por, edhe pse vendimi është zyrtarizuar, nuk është zbardhur ende lista me barnat, të cilat do të rimbursohen. Ajo që dihet është se grup medikamentet e përcaktuara në udhëzuesin për trajtimin e pacientëve me simptoma të lehta dhe të mesme (rastin kur diagnostikohet pneumoni) do të jenë pjesë e skemës. “Paketa e mjekimit bazë përmban vitaminoterapi, antipiretikët, antibiotikët, antikoagulantët dhe kortizonikët, por është mjeku i familjes ai që përcakton se çfarë mjekimi duhet të marrë pacienti i diagnostikuar me COVID-19. Paketa anti-COVID e financuar nga qeveria ka barna që janë aktualisht në listën e rimbursimit, por edhe barna të reja, të cilat janë shtuar me këtë paketë, për t’u përfituar nga të gjithë të prekurit, sipas vlerësimit të mjekut të familjes”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Për format e lehta, ku trajtimi përfshin vitamina, shurup për kollën apo edhe trisol mbulimi financiar apo vlera që do të rimbursohet do të jetë deri në 1650 lekë. Ndërsa për të infektuarit që janë në stadin e dytë, pra kur diagnostikohet pneumoni vlera që do të rimbursohet do të jetë deri në 10 900 lekë.

FONDI

E pyetur në lidhje me fondet aktuale për përballimin e rimbursimit këtë vit, ministrja Manastirliu u shpreh se ato janë pjesë e paketës prej 25 milionë euro të vëna në dispozicion nga qeveria për përballimin e pandemisë si dhe saktësoi se fondi prej 1.2 miliardë lekë në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar për mbulimin e trajtimit ambulator në banesë. Në lidhje me pacientët që nuk janë konfirmuar me testin pozitiv, ministrja e Shëndetësisë tha se edhe pacientët që nuk janë konfirmuar me test pozitiv, por kanë simptoma, mund të trajtojnë simptomat me barnat që janë aktualisht në listën e barnave të rimbursueshme, falas për qytetarët, pavarësisht paketës së miratuar dje.

“Paketa e miratuar është buxhetuar në fondet e alokuara që në fillim të kësaj pandemie. Janë 25 milionë euro të dedikuara Ministrisë së Shëndetësisë për përballimin e epidemisë, për rritjen e kapaciteteve, por edhe për mbulimin e rimbursimit. Në strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit edhe në strategjitë e mëparshme, paketa e mbështetjes së qytetarëve me terapitë e barnave në spitale është falas, por edhe përsa i përket rimbursimit ambulator, u vlerësua sipas udhëzimit të përcaktuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Por lista aktuale e rimbursimit ka gjithashtu terapi, apo klasa barnash, të cilat rimbursohen edhe për infeksionet virale”, tha ministrja Manastirliu.

Kohëzgjatja e mjekimit është deri në 1 muaj dhe receta e rimbursuar përfitohet sipas sistemit aktual të rimbursimit, në farmacitë e rrjetit të hapur me kontratë me Fondin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

BINO

Lidhur me testet, shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino, tha se aktualisht janë 4 laboratorë për analizën e tamponëve dhe se shumë shpejt do të nis dhe kryerja e testeve të shpejta.

“Aktualisht kemi 4 laboratorë, të cilët po funksionojnë në rrjetin publik. Pra, nga një laborator që kishim kur filloi pandemia, kemi 4 për momentin. Po ashtu, kemi edhe investimet që po kryhen në lidhje me testet e shpejta, të cilat do të jenë një revolucion siç është në të gjithë botën, të cilat do të mundësojnë kryerjen sa më shpejt të testit. Natyrisht kjo do të ndihmojë në izolimin dhe ndërmarrjen e masave të menjëhershme të kontrollit. Të gjitha këto janë masa të rëndësishme, të cilat mendojmë që do të ndikojnë në sheshimin e kurbës”, tha doktoresha.

SITUATA

Të dhënat zyrtare tregojnë se nga rreth 30 mijë raste pozitive me COVID-19 që janë regjistruar në vendin tonë, 52 për qind janë femra. Shtimi i rasteve ditore ka sjellë rritje të mesatares javore, por sërish incidenca sipas ministres është më e ulët në raport me vendet e rajonit. Ndërsa sa i përket kapaciteteve spitalore, Manastirliu tha se janë të lira edhe rreth 20 për qind të kapaciteteve dhe me ezaurimin e tyre do të hapet edhe spitali COVID 4 (ish-Universiteti Kristal). “Situata në spitale në të tre strukturat e dedikuara për trajtimin COVID-19 kemi të zëna 420 shtretër, 15-20% e shtretërve janë të lirë në tre struktura, ndërkohë që COVID 4 është gati në momentin që do të kemi një zënie të shtretërve”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura