12 nominime për regjisorin përdhunues/ Tronditet César Academy, i gjithë bordi jep dorëheqje 14 ditë para ceremonisë së ndarjes së çmimeve

Feb 14, 2020 | 10:38
SHPËRNDAJE

I gjithë bordi César Academy, ekuivalenti i Oscars në Francë, ka dhënë dorëheqjen mes një vale kritikash për dhënien e 12 nominimeve për një film të Roman Polanski.

Vendimi për të nderuar filmin “An Officer and a Spy” të Polanskit ka zemëruar grupet feministe që bën thirrje për bojkot.

Regjisori polako-francez është shpallur në kërkim në SHBA për përdhunimin e një vajze 13-vjeçare në vitet 1970.

Qindra aktorë, producentë dhe regjisorë kanë bërë thirrje gjithashtu për reforma.

Në një letër të hapur këtë javë, ata denoncuan mosfunksionimin në César Academy dhe paaftësinë në menaxhimin e saj.

Vendimi i bordit të César Academy për të dhënë dorëheqjen vjen si një tronditje për shkak se 45 vjetori i ceremonisë së ndarjes së çmimeve do mbahet më 28 shkurt.

Në një deklaratë mbrëmjen e së enjtes, akademia tha se bordi vendosi njëzëri të jepte dorëheqjen për të siguruar që festivali i filmit të mbetet një festival.

“Ky vendim kolektiv do të lejojë rinovimin e plotë të bordit,”- shtoi akademia.

Pas ceremonisë së këtij muaji do të mbahet një mbledhje e përgjithshme për të zgjedhur një bord të ri, i cili do të shqyrtojë zbatimin e reformave dhe modernizimin e institucionit.

Ministri i Kulturës Franck Riester tha që Akademia César duhet të funksionojë në mënyrë demokratike duke sjellë transparencë, barazi dhe diversitetit.

Akademia César është përballur me polemika muajt e fundit.

Shumë njerëz bënë thirrje për bojkot kur filmi i Polanskit An Officer and a Spy u nominua për 12 çmime.

Regjisori u largua nga SHBA pas dënimit të tij për përdhunim në vitet 1970 dhe që atëherë është përballur me akuza të tjera për sulm seksual.

“Jam e shokuar. 400 profesionistë të kinemasë i dhanë Polanskit 12 nominime. 12 është edhe numri i grave që sot e akuzojnë atë për përdhunim,”- tha Céline Piques, zëdhënëse e organizatës feministe franceze Osez le Féminisme.

Ministri i barazisë në Francë, Marlène Schiappa, gjithashtu dënoi vendimin për të nominuar filmin e Polanski.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura