“12 milionë euro dëm ekonomik”- PD thirrje SPAK të hetojë tenderin për tunelin e Llogarasë: U përzgjodh kompania me ofertën më të shtrenjtë

Oct 16, 2021 | 12:14
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka dalë sërish sot përmes deputetes Ilda Dhori duke i bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme, SPAK që të hetojë “urgjentisht shkaktarët” e asaj që PD nuk e quan krizë energjitike, por “krizë korrupsioni”.

pd tuneli

Sipas PD, vetëm përmes tre tenderave, si ai për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, “qeveria shkakton një dëm 40 milion euro”.

PD thotë se dëmi ekonomik që i shkaktohet shqiptarëve vjen nga blerja e energjisë elektrike me një çmim shumë herë të më të lartë se në bursë, nga përzgjedhja e një kompanie me ofertën më të shtrenjtë për ndërtimin e tuneli të Llogarasë si dhe duke përzgjedhur ofertat më të shtrenjta për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.

“Partia Demokratike ka denoncuar dhe do të denoncojë të gjitha skandalet e kësaj qeverie dhe i bëjmë thirrje SPAK të hetojë me përparësi këto shpërdorime, me taksat e shqiptarëve duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

Qytetarët e vendit më të varfër në Europë, nuk mund të paguajnë nga xhepat e tyre abuzimet e qeverisë më të korruptuar në Europë”, tha deputetja demokrate.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DEPUTETJA ILDA DHORI

Prej ditësh qeveria po përpiqet të shesë si krizë energjie, krizën e korrupsionit dhe keqmenaxhimit të KESH dhe OSHEE.

Pas kësaj krize, qeveria po përpiqet të fshehë përgjegjësitë e saj, për gjendjen ekonomike në të cilën ndodhet shumica e familjeve shqiptare dhe sipërmarrësit e ndershëm, që nuk konkurojnë dot në një ekonomi jo konkuruese, të përqëndruar në pak duar.

Që kjo është një krizë korrupsioni dhe jo energjie, kuptohet edhe nga zgjedhjet e papërgjegjshme që qeveria ka bërë vetëm midis muajve shtator dhe tetor.

Sepse ndërkohë që flasin për krizë, u kanë shkaktuar qytetarëve shqiptarë një dëm ekonomik prej 40 milionë eurosh.

1) 10.6 milionë euro për blerjen e energjisë me çmimin më të lartë se bursa nga ana e OSHEE;

2) 12 milionë euro, duke përzgjedhur kompaninë me ofertën më të shtrenjtë për tunelin e Llogarasë;

3) 17.4 milionë euro, duke përzgjedhur ofertat më të shtrenjta për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.

Pra, të nderuar qytetarë, kriza për të cilën flasin, është për ju, jo për qeverinë.
Sepse ndërkohë që varfëria, papunësia, çmimet dhe listat nëpër dyqane rriten, qeveria vazhdon të dëmtojë interesat e qytetarëve shqiptarë.

Partia Demokratike ka denoncuar dhe do të denoncojë të gjitha skandalet e kësaj qeverie dhe i bëjmë thirrje SPAK të hetojë me përparësi këto shpërdorime, me taksat e shqiptarëve duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

Qytetarët e vendit më të varfër në Europë, nuk mund të paguajnë nga xhepat e tyre abuzimet e qeverisë më të korruptuar në Europë.

pd tuneli llogar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura