Nuk e fitoi dot betejën me sëmundjen e rëndë, ndahet nga jeta pedagogia e njohur (EMRI)

Jun 27, 2022 | 15:17
SHPËRNDAJE

Nevila Dibra, zv. dekania e Shkencave Shoqërore në Universitetin e Shkodrës është ndarë nga jeta këtë të hënë.

nevila dibra

Lajmi është konfirmuar nga kolegia e Dibrës, rektorja e universitetit, Prof. Dr. Suzana Golemi, e cila njofton se homazhet në nderim të së ndjerës, do të zhvillohen ditën e nesërme në hollin pranë auditorit A3, në Universitetin e Shkodrës.

Mësohet se pedagogia ndërroi në moshë të parakohshme, për shkak të një sëmundjeje të rëndë.

NJOFTIMI:

Të nderuar kolegë, miq e bashkëpunëtorë,

Me hidhërim të thellë mësuam lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të koleges, mikes sonë të dashur, prof.as.dr. Nevila Dibra, zv/Dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Prof.as.dr Nevila Dibra ka qenë pjesë e Departamentit të Gjeografisë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” që nga viti 1993. Ajo ka dhënë kontributin e saj si kërkuese shkencore në fushën e gjeografisë, turizmit dhe mjedisit me një sërë artikujsh, librash shkencorë, organizime dhe pjesëmarrje në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo ka kryer me devotshmëri funksione të ndryshme si përgjegjëse e departamentit të Gjeografisë në vitet 2012 – 2020, anëtare e Senatit Akademik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” për shumë vite, dhe është dalluar për kontributin e lartë dhe energjinë e saj pozitive për zhvillimin e Fakultetit të Shkencave Shoqërore Universitetin e Shkodrës. Studentët do ta kujtojnë prof. as. dr. Nevila Dibra si lektoren e aftë dhe dashamirëse; kolegët si pedagogen e përkushtuar; miqtë si shoqen unike.

I shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe të gjithë të afërmve për këtë humbje të madhe e të parakohshme!

Qoftë i përjetshëm kujtimi i saj!

Rektori

Prof. Dr. Suzana Golemi

Ceremonia e lamtumirës dhe homazhet në nderim të prof. as. dr Nevila Dibra do të zhvillohen me datë 28/06/ 2022 në ora 10.30-11.30, pranë hollit të auditorit A3 në Godinën e Rektoratit të Universitetit të Shkodrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura