100-vjetori i Kongresit të parë Mysliman Shqiptar

Mar 15, 2023 | 7:28
SHPËRNDAJE

H. LEDIAN CIKALLESHIH. LEDIAN CIKALLESHI

100 vite më parë, mes datave 24 shkurt – 12 mars të vitit 1923, mbajti punimet Kongresi i parë Mysliman Shqiptar, i cili do të merrte vendimin më të rëndësishëm për 100 vitet e ardhshme, atë të shkëputjes de facto dhe de jure të Komunitetit Mysliman Shqiptar nga shejhul islami i Stambollit. Prandaj, ky përvjetor shënon një datë të rëndësishme për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe jo vetëm.

Por çfarë ndodhi 100 vite më parë dhe si rrodhën ngjarjet deri në këtë datë të shënuar dhe cila ishte jehona e këtij kongresi?

Kontributi i klerikëve myslimanë shqiptarë në shpalljen e pavarësisë 28 nëntor 1912 dhe largpamësia e tyre Faktori mysliman ka qenë i rëndësishëm dhe vendimtar gjatë periudhës së rilindjes kombëtare deri në shpalljen e pavarësisë nga Ismail Qemali në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Janë tri elemente esenciale që mundësuan bashkimin e shqiptarëve, myslimanë dhe të krishterë, por mbi të gjitha atë të faktorit mysliman: 1. Mbrojtja e gjuhës shqipe, e shkruar me shkronja latine; 2. Fetvaja e Flamurit nga H. Vehbi Dibra; 3. Aprovimi i idesë së shkëputjes, mëvetësisë nga Perandoria Osmane dhe Kalifati.

Në rrëfimet e tij, Hafiz Ali Korça, në veprën e tij “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”, i cili ishte persekutuar nga Xhonturqit, për shkak të mbrojtjes që i bënte mësimit të gjuhës shqipe me shkronja latine dhe i dënuar me vdekje prej tyre, pasi arrin të sigurojë amnistinë në Stamboll, rrëfen për një takim me ministrin e brendshëm të kohës xhonturk Talat Pashain, kur ky i fundit orvatej t’ia trajtonte çështjen si kauzë fetare, duke i thënë se “po le shkronjat e Kur’anit dhe do marrësh shkronjat latine?”. Hafiz Ali Korça nuk bie në atë grackë, pasi fetarisht e kishte të qartë dhe i thotë: “Shkronjat e një gjuhe nuk kanë të bëjnë as me fenë, as me Halifenë. Shkronjat janë vegla (mjete). S’janë as mumin (besimtare) as qafir (mohuese të fesë)”. Vendimet e mësipërme nuk ishin aspak të lehta, sepse kërkonin qartësi fetare, kthjelltësi mendimi dhe largpamësi. Kjo, sepse nuk bëhej fjalë vetëm për çështje politike, por kërkonin edhe interpretim fetar. Me plot gojë mund të themi se kjo largpamësi, bëri zgjidhjen e këtyre dilemave dhe pranuan njëzëri se themeli i ekzistencës sonë kombëtare, është harmonia ndërfetare.

ORGANIZIMI I MYSLIMANËVE SHQIPTARË 1912-1923

Gjatë periudhës pas vitit 1912, klerikët atdhetarë myslimanë me aktivitetin patriotik që kryen, e radhitën veten midis personaliteteve politike e shoqërore dhe luftëtarëve të lëvizjes kombëtare. Shembull mjaft domethënës është fakti që i zgjedhur në krye të Pleqësisë (Senatit të parë shqiptar) Vehbi Dibra, i ngarkuar nga Kuvendi edhe me detyrën e Kryemyftiut të Shqipërisë, menjëherë filloi një veprimtari intensive për organizimin e institucioneve të bashkësisë islame, të institucionit të kadilerëve e të myftilerëve, të rolit e të detyrave të tyre, ngritjen e organizmit të sherive etj.

Por një vendim kaq i rëndësishëm për jetën dhe të ardhmen e shtetit të ri mbeti pa jehonën e duhur, sepse nuk u konfirmua nga regjimi i Vidit dhe Lufta e Parë Botërore nuk lejoi zbatimin e tij.

Në vazhdim të sqarimit të këtij problemi, duhet të theksojmë se që në vitet 1916-1917, ndonëse periudhë lufte, u bënë disa hapa të rëndësishme për organizimin dhe strukturimin e fesë islame në vendin tonë. Në këtë kohë u bë ristrukturimi i institucionit të Gjyqit të Naltë të Sheriatit, që është një ngjarje shumë e rëndësishme e kohës.

Kështu, në një raport që i dërgohej Vjenës nga Shkodra në prill të vitit 1917 mbi çështjen kulturore e konfesionale në Shqipëri, bëhej e ditur se në Shkodër në tetor 1916 për drejtimin e gjyqeve të sheriatit, qe krijuar Gjyqi i Naltë i Sheriatit, i përbërë nga Kryemyftiu, Vehbi Dibra dhe dy anëtarë, kryesekretari dhe dy shkrues. Në këtë dokument gjejmë të shprehur qartë se në vitin 1917 qe hartuar një “Parashkresë e përkohshme për organizimin e sherisë në Shqipëri”, duke na ndriçuar kështu faktin se organizimi dhe funksionimi i Sherisë në vendin tonë është bërë qysh nga viti 1917. Parashkresa, për të cilën bëhet fjalë, përbëhej prej 43 nenesh dhe deri në vitin 1923 ka luajtur rolin e statutit, që mori formë të plotë me mbledhjen e Kongresit Islamik. Sipas saj, në krye të Bashkësisë Islame në Shqipëri si dhe të Sherisë gjendej Myftiu i Përgjithshëm (Kadiu i Kadive) dhe nën drejtimin e varësinë e tij ishin të gjithë hoxhallarët dhe gjyqtarët e nëpunësit e tjerë të sherisë. Për t’u theksuar është se sipas nenit 18- të të një “Parashkrese” vazët dhe këshillat apo predikimet duhet të mbaheshin në gjuhën shqipe dhe arabe, t’u përgjigjeshin nevojave të kohës dhe të qeverisë. Po kështu edhe vendimeve gjyqësore do t’u bashkëngjitej gjithmonë edhe një përmbledhje në gjuhën shqipe. Kryemyftiu apo Gjyqi i Naltë kishte nën kontroll edhe të gjitha Vakfet etj. Një vendim i rëndësishëm ishte heqja nga hutbet e xhumasë e lutjes për Sulltanin apo Halifen e Myslimanëve, ku përmendej emri dhe bëhej lutje për të. H. Vehbi Dibra si Myfti e Përgjithshëm, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Sheriatit, u dërgonte në qershor të 1917-ës një qarkore zyrave të sherive në qarqe, ku tërhiqte vëmendjen dhe urdhëronte që t’u jepej fund këtyre praktikave: “Tue qenë se sot Shqipëria është një shtet më vete dhe nuk ka ndonjë të përpjekur shtetëror me qeverinë turke të luturat të mos bëhen në gjuhën turke, por në shqip dhe sulltani të mos përmendet si mbret i vendit tonë”.

KONGRESI I PARË MYSLIMAN SHQIPTAR, 24 SHKURT – 12 MARS 1923

Kongresi i parë Mysliman Shqiptar përfaqëson një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për jetën fetare, shoqërore të Shqipërisë, por edhe për jetën historikopolitike e kombëtare të popullit tonë.

Klerikët atdhetarë dhe opinioni publik, pas formimit dhe sidomos pas konsolidimit të shtetit shqiptar, përmes organeve të shtypit e ngrinin me forcë këtë problem dhe kërkonin nga organet shtetërore dhe qeveritare ndihmë për të siguruar shkëputjen nga qendra të ndryshme të besimeve fetare, të cilat shpesh kishin punuar apo edhe vijonin të punonin në dëm të çështjes kombëtare shqiptare, në radhë të parë, kundër bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Mbledhja e parë e Kongresit apo e Kuvendit Mysliman, siç u quajt ndryshe, u mbajt në Tiranë më 24 shkurt 1923, në ndërtesën e shoqërisë “Djelmënia dibrane” në Rrugën e Dibrës dhe mbylli punimet më 12 mars të vitit 1923.

Ajo u hap me fjalën e Vehbi Dibrës, Kryemyftiut të parë të Shqipërisë, të caktuar nga Qeveria e Vlorës fill pas Shpalljes së Pavarësisë. Fjalët e H. Vehbi Dibrës do të bëheshin lajtmotivi i veprimtarisë së ardhshme të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në marrëdhënie me besimtarët myslimanë dhe me besimet e tjera të vendit tonë. Vehbi Efendiu theksoi karakterin liberal e demokratik të fesë islame, e cila i ka hapur lirisht portat për diskutimin e lirë të gjitha problemeve që i interesonin botës myslimane: “… dera e mejtimit të ixhtihadit (pikëpamjeve) nuk asht e mbyllun dhe jemi gati për me i mejtue disa çashtje fetare se me ndërrimin e kohës, ndërrojnë edhe gjykimet”. Siç shihet, një nga organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të këtij Kongresi e kishte ideuar dhe konceptuar këtë tubim jo si një mbledhje të zakonshme të organizmave të bashkësisë islame në Shqipëri. Ai vinte në dukje me një koncept të qartë dhe të gjerë të detyrave që qëndronin përpara bashkësisë islame në Shqipëri. Kryemyftiu dhe ndjekësit e tij vinin në Kuvend me një koncept bashkëkohor të masave dhe të vendimeve që duheshin marrë nga delegatët në Kongres. Në të gjithë këtë konceptim, ata kishin mirë parasysh pozicionin e Shqipërisë në Evropë.

Kryemyftiu i Shqipërisë u theksonte edhe njëherë delegatëve të Kongresit gjendjen fetare të vendit dhe detyrat e besimtarëve për të vënë mbi gjithçka, gjë që e vlen të theksohet, bashkimin kombëtar pa dallim besimi e, madje, vëllazërimin kombëtar të të gjithë shqiptarëve.

“Sikurse e dini zotëria juaj, popullsia e Shtetit tonë përbahet prej tre elementësh, d.m.th. mysliman, katolik dhe ortodoks, po në pikëpamje të kombësisë në mes kemi një vllaznie të plotë e të patundshme, e nuk mund të thuhet e të kuptohet asnjë send që e tund këtë vllaznie të plotë. Çashtja e fesë asht nji çashtje e posaçme e secili asht i lirë për me sigurue forcimin e fesë së vet”. Si pikënisje dhe si pikë referimi të gjithë veprimtarisë politike, shoqërore dhe, kuptohet, edhe fetare të shqiptarëve në kohët më të reja, atdhetari i mirënjohur Vehbi Dibra merr fitoren e madhe historike të shqiptarëve në Kuvendin e Vlorës me Shpalljen e Pavarësisë, të ripohuar, të përforcuar dhe të kurorëzuar edhe njëherë në Kongresin e Lushnjës.

Caktimi për të referuar Vehbi Dibrës nuk duhet të jetë i rastit, jo vetëm pse ai ka qenë pjesëtar aktiv i Kuvendit të Vlorës, por sepse qe zgjedhur edhe kryetar i këtij Kuvendi historik e më pas edhe kryetar i Senatit të dalë prej tij. Për çështjen që po flasim ka rëndësi fakti i emërimit të Vehbi Dibrës si kryemyfti i Shqipërisë dhe i Vejsel Nailit si kryekadi i Shqipërisë. Në këtë Kongres morën pjesë delegatë nga e gjithë Shqipëria. Ai ka hyrë në historinë e zhvillimit të Islamit në Shqipëri, veç tjerash, edhe për dy evenimente të rëndësishme: a) Duke shpallur mëvetësimin e Xhamisë Shqiptare, preu de facto dhe de jure, të gjitha llojet e lidhjeve me kalifatin dhe b) Themeloi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, që në të ardhmen do të merrte në dorë, nëpërmjet administratës që ngriti, interpretimin teologjik dhe rregullimin administrativ të të gjitha çështjeve islame në Shqipëri. Në zbatim të vendimeve të Kongresit të parë islam, u themelua Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe, sikurse në të gjitha rrethet e tjera të vendit, edhe Myftinia e Tiranës. Në fakt, institucionet e fesë islame në Shqipëri kanë ekzistuar që kur u islamizua vendi, por këtu është fjala të inkuadruara në strukturat e Komunitetit Mysliman të sapoformuar. Në Tetor të vitit 1923 fillon botimin revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman e titulluar “Zani Naltë” për t’u mbyllur në vitin 1939. Në të vërehen tonet patriotike dhe atdhetare të shkruesve që lanë shënimet dhe shkrimet e tyre. Në vitin 1924, u hap dhe filloi vitin e parë shkollor Medreseja e Tiranës. Në Statutin e vitit 1923 nuk bëhet fjalë shprehimisht për shkëputjen e Bashkësisë Islame Shqiptare, të sapoorganizuar, nga Kalifati dhe Meshihati i Stambollit. Një fakt i tillë, me sa duket, nënkuptohej, ose, më mirë të thuhet, as nuk diskutohej, përderisa në këtë Statut nuk bëhej fjalë, gjithashtu, për kurrfarë lidhjeje fetare organizative me Stambollin, as me Kalifatin dhe as me shejhul’islamin. Gjithë organizimi dhe funksionimi i kësaj Bashkësie ishte menduar i pavarur nga ndonjë qendër tjetër fetare e huaj, cilado qoftë ajo.

Me këtë pozicion ruhej, si të thuash, ajo status quo, ajo gjendje e krijuar që para 11 vjetësh, pas Shpalljes së Pavarësisë, me vendimin e Qeverisë së Vlorës për emërimin e Vehbi Dibrës Kryemyfti i Shqipërisë. Ky vendin qe konsideruar, jo pa të drejtë, si shkëputje atëherë e xhamisë shqiptare nga Stambolli.

SI U PRITËN VENDIMET E KONGRESIT?

Vendimet që priteshin të merreshin dhe që u morën në atë Kongres, u konsideruan si kthesë rrënjësore e Islamit në vendin tonë dhe, për këtë, ai u vlerësua pa mëdyshje. Sado që shkalla e informimit rreth punimeve të këtij Kongresi nuk qe, siç del nga shtypi, në lartësinë e duhur, lajmi për vendimin e tij kryesor të shkëputjes së xhamisë shqiptare nga shejhul islami, u prit kudo me miratim dhe me entuziazëm të theksuar nga gjithë opinioni publik shqiptar, pavarësisht nga besimi. U përshëndet nga të gjithë banorët e vendit tonë, duke u shndërruar në një festë të vërtetë, në të cilën morën pjesë banorë pa dallim besimi dhe, sipas rastit, autoritetet qendrore apo ato lokale.

Sipas shtypit shqiptar të kohës rezulton se shpallja e mëvetësisë së xhamisë shqiptare bëri përshtypje dhe pati jehonë të madhe në popullin tonë. Në shumë qytete të Shqipërisë, me këtë rast u bënë manifestime. “Kryetari i Komunitetit Mysliman të Korçës,- shkruante “Zëri i popullit” i datës 17 mars 1923,- mori një telegram nga Kongresi Mysliman i Tiranës, me anën e të cilit lajmërohej se u proklamua autoqefalia e xhamisë shqiptare. Atë ditë u bë ceremonia e festimit dhe u përshëndet me topa. Banda e bashkisë tërë mëngjesin e së enjtes luajti copëra muzikale në oborrin e medresesë, ku priteshin vizitat e zyrtarëve dhe të popullit. Në emër të Komunitetit ortodoks vizituan Myftininë kryetari i Këshillës së Lartë Kishtare, Per. At Vasil Marko, dhe Hirësia e tij Peshkopi Jerotheos, në emën të Qeverisë, Prefekti, Z. Suma, me gjithë personelin e prefekturës; në emnin e popullit përshëndeti kryetari i Bashkisë, Z. V. Avram, me anëtarët e Këshillës; nga ana e tregut Z. Ballauri me këshillin e grupit tregtar dhe një shumicë e madhe populli”. Manifestime të tilla u bënë edhe në qytete të tjera. Nuk duhet lënë pa u theksuar se gjithçka që u bë në lidhje me Islamin në vendin tonë gjatë kësaj periudhe, deri në Kongresin Islamik të 1923-it, mban vetëm vulën e liderëve fetarë të vendit, sepse pas 1912 Shqipëria nuk ka pasur asnjë lidhje apo kontakt zyrtar me Kalifatin. Me vendimet e këtij Kongresi dështoi edhe ndonjë orvatje e atëhershme për krijimin e një komiteti panislamik në Shqipëri, mendim që për shumë kënd, që i njihte Shqipërinë dhe shqiptarët, ka qenë i paimagjinueshëm qysh në kohën kur është shfaqur. Në një këndvështrim më të plotë, rëndësia e mëvetësisë së xhamisë shqiptare qëndron një rrafsh më të gjerë, jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Kjo sepse, me sa dihet, përbën rastin e parë dhe të fundit të shkëputjes të një bashkësie islame nga Kalifati. Shembullin e saj nuk arriti ta ndiqte asnjë xhami tjetër, sepse pas një viti Mustafa Qemal Ataturku e abrogoi postin e kalifit dhe të institucionit të tij.

RËNDËSIA HISTORIKE E KONGRESIT TË PARË MYSLIMAN

Kongresi i parë Mysliman ka një rëndësi shumë të madhe historike për vendin tonë. Kjo, për disa arsye: 1. Në një kohë kur shteti shqiptar kishte filluar të konsolidohej pas Kongresit të Lushnjës dhe Konferencës së Paqes në Paris, një çështje e rëndësishme për të ruajtur unitetin kombëtar ishte që komunitetet fetare të kishin mëvetësinë nga institucionet jashtë kufijve të vendit. Pikërisht këtu del në pah edhe vlera e këtij kongresi. Myslimanet e Shqipërisë si feja që kishte shumicën e popullsisë dhe përfaqësuesit e tyre ishin të parët që e morën këtë hap historik.

2. Myslimanët e Shqipërisë treguan se kishin pjekurinë e mjaftueshme për të marrë vendime fetare të pjekura dhe te kuptonin shumë mirë dallimin mes çështjeve politike dhe fetare. Ata e vlerësuan se çështja e mëvetësisë se institucionit nuk ishte largim nga feja, por ishte në dobi të vetë myslimanëve shqiptarë për të mos u përdorur politikisht nga jashtë kufijve duke përdorur fenë.

3. Klerikët myslimanë shqiptarë treguan se ishin mjaft fleksibël në gjykimin e çështjeve, por njëkohësisht të palëkundur kur bëhej fjalë për një parim fetar. Fjala vjen, disa vite më vonë, qeveria ndërmori një reformë për heqjen e ferexhesë nga fytyra e grave, ata e mbështetën qeverinë e Zogut në këtë reformë, por nuk pranuan në asnjë mënyrë që të vihej në diskutim çështja e heqjes së shamisë, pasi kjo ishte detyrim fetar.

SFIDAT AKTUALE TË KOMUNITETIT MYSLIMAN TË SHQIPËRISË PAS VITEVE ‘90

Tranzicioni i këtij institucioni ka qenë mjaft i vështirë, sepse vitet e ‘90 e gjetën të zeruar në çdo aspekt, duke qenë se regjimi komunist i kishte dhënë një goditje fatale. Aspekti kombëtar në traditën e këtij institucioni ishte sfida më e madhe, që ia vështirësoi ringritjen, duke qenë se historikisht prijësit fetarë të tij kanë qenë dhe janë shqiptarë. Mirëpo, plejada e ndritur e prijësve myslimanë ishte shuar prej kohësh dhe kjo solli jo pak sfida ndër vite për Komunitetin Mysliman. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë – KMSH, sot mbart një barrë të jashtëzakonshme në një kohë sfidash të mëdha institucionale. Problemi më i madh mbetet moskthimi i pronave të shtetëzuara nga regjimi komunist, gjë e cila për vite të tëra ka sjellë vartësi ekonomike nga shoqata dhe fondacione të ndryshme. Qeveritë, pavarësisht premtimeve, sillen indiferente ndaj këtij procesi sa delikat aq edhe jetik për institucionin. Kjo është sfida më jetike e këtij institucioni, pasi ata që nuk e duan një komunitet mysliman shqiptar të pavarur këtë pikë po përdorin për ta gjunjëzuar. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njëkohësisht ka një rol të rëndësishëm institucional në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit social, edukativ, moral dhe të bashkëjetesës ndërfetare. Janë këto arsye, që shpesh e kanë bërë këtë institucion të jetë në qendër të vëmendjes në momente kyçe dhe historike për rolin që mbart. Një Komunitet Mysliman i lënë pa përkrahje e ka të vështirë të kontribuojë në parandalimin e këtyre sfidave globale që kanë prekur dashje pa dashje edhe vendin tonë, ndërsa një KMSH e konsoliduar në të gjitha aspektet është një garanci më shumë për një zë të rëndësishëm dhe kontribuues në shoqërinë shqiptare.

Myfti i Zonës Korçë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura