100 milionë euro nuk mjaftojnë, Jonghong Li “kërkon” presidentin e ri te Milani

Jun 11, 2018 | 22:39
SHPËRNDAJE

Diçka më pak se një javë dhe avokatët e “Djallit” do të gjenden në Nion për të pritur vendimin e Dhomës së Gjykimit pranë UEFA-s. Frika e një dënimi me përjashtim nga Liga e Europës është e perceptueshme dhe reale në ambientin kuqezi. Shpresat janë të dosja prej 21 faqesh që është dorëzuar pranë organeve kompetente dhe te garancia bankare prej 100 milionë eurosh, që jep njëfarë sigurie për të ardhmen afatshkurtër të Milanit.

yonghong-li-acmilan-e1498489675912

Burime pranë UEFA-s kanë bërë të ditur me kohë se problemi nuk qëndron te klubi, por te presidenca, e cila nuk garanton soliditet ekonomik dhe transparenca e burimeve financiare nuk është fort e kënaqshme për parametrat e institucionit më të madh futbollistik në Kontinentin e Vjetër.

KAS- Pavarësisht se në “Casa Milan” puna vijon 24 orë në 24, bindja për fitore në UEFA nuk ekziston. E gjithë shpresa e kuqezinjve është tek apelimi pranë Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (KAS). Pikërisht ky institucion përbën edhe spirancën e shpëtimit për kuqezinjtë. Një apelim i suksesshëm do të bënte që dosja e Milanit të rikthehej në UEFA për rishqyrtim, me kuqezinjtë që në një rast të tillë do t’ia “hidhnin” më një sanksion ekonomik.

Presidenca- Nga ana tjetër Jonghong Li vijon serinë e takimeve për të gjetur një financues apo ortak. Ideja më e re e manjatit kinez është shitja e një pjesë aksionesh, për të shitur më pas pjesën e mbetur në një moment të dytë. Profili i interesuar ekziston dhe nuk bëhet fjalë për një kompani, por mbetet ende mister identiteti i kreut të ardhshëm kuqezi.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura