“100 lekë për kuksianët”, arrihet marrëveshja me koncesionarin për ‘Rrugën e Kombit’: Pagesa do të fillojë…

Jun 17, 2018 | 14:15
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Banorët e Kukësit do të paguajnë 100 lekë të rinj për një kalim në Rrugën e Kombit, ndërsa tarifimi do të fillojë menjëherë pas sezonit turistik. Pas bisedimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e biznesit të Kosovës dhe Shqipërisë, duket se qeveria ka pranuar propozimin e tyre për të shtyrë rinisjen e zbatimit të tarifës në Rrugën e Kombit pas përfundimit të sezonit turistik. Është rënë dakord që kalimi me pagesë të nisë më 17 shtator. Mësohet se mes qeverisë dhe kompanisë koncesionare është arritur marrëveshja pas negociatave 60-ditore, që pas protestës së banorëve të Kukësit në pikën e pagesës së tarifës së Rrugës së Kombit.

rruga-kombit-933x445

PËRFITUESIT

Janë disa kategori që do të përfitojnë çmime të reduktuara ose preferenciale gjatë kalimit të tyre në rrugën Milot-Morinë. Privilegjin më të madh do ta kenë të gjitha automjetet e regjistruara në qarkun e Kukësit, të cilat do të paguajnë një tarifë prej 100 lekë me TVSH për një kalim. Përdoruesit e qarkut të Kukësit do të kenë mundësi të blejnë një abone, të cilën do ta paraqesin në sportelin elektronik të postbllokut dhe kjo abone do të vlejë për 44 kalime në muaj me këtë tarifë të reduktuar. Por reduktim tarife do të ketë gjithashtu edhe për linjat e transportit publik, që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit. Tarifa e tyre e kalimit do të jetë gjithashtu 100 lekë me TVSH për një kalim. Një tjetër kategori që përfiton nga reduktimi i tarifës, janë dhe përdoruesit e shpeshtë të rrugës, ku përfshihen qytetarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, të cilët e përdorin aksin rrugor në mënyrë të vazhdueshme. Duket se negociata që është arritur mes qeverisë dhe kompanisë koncesionare do të përfshijë dhe bonuse për ata që e përdorin më shpesh rrugën. Reduktim të tarifës do të ketë edhe për ata pronarë automjetesh apo kompani që e përdorin më shpesh rrugën, pavarësisht nëse janë qytetarë të qarkut të Kukësit apo të Republikës së Kosovës. Edhe për ata do të ketë reduktim në tarifë. Fatura për politikat lehtësuese do t’i kalojë buxhetit të shtetit, i cili për 30 vite mësohet se do t’i paguajë koncesionarit 48.5 milionë euro. Më 31 mars, banorë të qarkut Kukës protestuan në pikën e re të pagesës së tarifës së Rrugës së Kombit, e cila sapo kishte nisur nga puna, në zbatim të marrëveshjes koncesionare të qeverisë me një kompani vendase. Protestuesit u përplasën me Policinë, me pasojë djegien e sporteleve të pagesës dhe duke e nxjerrë jashtë përdorimit sportelin. Pas protestës pati të arrestuar, disa prej të cilëve ndodhen ende në burg, ndërsa qeveria kërkoi ndjesë për mungesën e sqarimit dhe komunikimit me banorët që prekeshin nga kjo tarifë. Kryeministri Rama premtoi se brenda 60 ditëve, qeveria do të paraqesë para banorëve tarifën e re për banorët e qarkut të Kukësit, por u shpreh i vendosur se të gjithë do të paguajnë për përdorimin e autostradës MilotMorinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura