1 miliard euro i fitoi Kosova apo Serbia?

Sep 11, 2020 | 9:00
SHPËRNDAJE

FATOS ÇOÇOLI Fatos-Cocoli-770x433

Nuk ka diskutim më pa bukë se sa fitoi njëri shtet apo humbi shteti tjetër në Uashington D.C. të premten, më 4 shtator 2020. Të 1 miliard eurot do t’i marrin të dyja vendet nëse do të dinë të vlerësojnë ofertën e aleatit të tyre strategjik, SHBA-ve, të vulosur me nënshkrimin e 16 marrëveshjeve, kryesisht ekonomike, mes Serbisë dhe Kosovës. Grindjet politike të brendshme për marrëveshjen për liqenin e Ujmanit vetëm sa e dobësojnë pozicionin e Kosovës në marrëveshjet historike të Uashingtonit.

Për ata që nuk besojnë në këto marrëveshje, paratë janë te pragu i derës. I kanë dy institucione shtetërore shumë të rëndësishme dhe të stërmëdha të qeverisë federale amerikane. Banka e Eksporteve dhe Importeve të SHBA-ve (në anglisht US Exim Bank (https:// www.exim.gov/about) është agjencia shtetërore kredituese e eksporteve, me një buxhet vjetor mbi 26 miliardë dollarë dhe eksperiencë pune 80-vjeçare.

Fondet janë të buxhetit federal të shtetit më të fuqishëm të botës. Vendimmarrja për përdorimin e fondeve dhe miratimin e projekteve të ndryshme që vijnë në US Exim Bank i takon tërësisht qeverisë amerikane. E njëjta gjë ndodh edhe me gjigantin tjetër federal amerikan, Korporatën Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar(U.S. International Development Finance Corporation). Kjo korporatë është banka e zhvillimit e qeverisë amerikane.

Fondet e saj janë disa herë më të mëdha sesa të Exim Bank. Korporata realizon partneritete me sektorin privat për të financuar zgjidhje për sfidat më kritike, me të cilat përballet bota në zhvillim sot. Korporata është një strukturë tërësisht e re, e themeluar vetëm në fillim të këtij viti. Buxheti federal amerikan i ka dhënë deri në 60 miliardë dollarë për të investuar në projekte zhvillimi në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke përfshirë mbështetjen e projekteve amerikane dhe të huaja, shitjen e mallrave dhe shërbimeve amerikane dhe bashkinvestuesit amerikanë.

Ja përse qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë duhet të shikojnë menjëherë të krijojnë partneritete me kompani amerikane për të realizuar financimin e projekteve të mëdha të përbashkëta infrastrukturore, si Autostrada e Paqes Beograd-Prishtinë, bashkëpunimi me Departamentin e Energjisë të SHBA-ve për përdorimin e liqenit të Ujmanit si një furnizim i besueshëm i ujit dhe energjisë elektrike për Serbinë dhe Kosovën, lidhja e rrjetit hekurudhor Beograd-Prishtinë me një port të thellë detar në Adriatik dhe një skemë-program të mbështetjes financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të të dyja vendeve.

Si Banka e Eksporteve dhe Importeve, edhe Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (paraardhësja e saj) kanë financuar në të kaluarën projekte në Europë dhe në të gjithë botën, aty ku interesat amerikane janë të larta. Duhet vetëm që të dyja palët, si Kosova dhe Serbia të tregohen korrekte dhe të vëmendshme në zbatimin e marrëveshjeve. Kultura e amerikanëve është që i konsiderojnë marrëveshjet e mbyllura si të shenjta. Ata nuk presin devijime prej tyre. Megjithatë, interesi politik në aktivitetin e administratës shtetërore amerikane për të mbështetur marrëveshjet me vende të ndryshme strategjike në botë, është një kusht parësor në suksesin e realizimit të marrëveshjeve. Interesimi i administratës amerikane për nisjen e studimeve të leverdishmërisë për projektet e mësipërme dhe të tjera të listuara në marrëveshjet e ndara të Uashingtonit mes Serbisë dhe Kosovës është tejet konkret sot.

Ky moment duhet shfrytëzuar. Politikisht, Kosova po bën harakiri me krizën qeverisëse ku po rrezikon të bjerë, pikërisht për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjeve të Uashingtonit nga qeveria kosovare. Deri në 3 nëntor 2020, ditën e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, Kosova dhe Serbia duhet të punojnë fort së bashku për përgatitjen e termave të referencës (kushteve) për studimet e leverdishmërisë së projekteve të nënshkruara për mbështetje nga agjencitë shtetërore të SHBA-ve. Dhe si serbët, edhe kosovarët e qeveritë e tyre duhet të luten dhe shpresojnë që Presidenti Trump të fitojë më 3 nëntor, që 1 miliard dollarët e premtuara nga administrata federale amerikane, të cilat do të gjenerohen nëpërmjet US Exim Bank DFC dhe Korporatës Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar të realizohen sa më shpejt. Sa më shpejt të sigurohen këto fonde, aq më mirë për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë. Politika dritëshkurtër e tensioneve nga të dyja palët mund të mos fitojë gjë, por qytetarët nga zbatimi konkret i Marrëveshjeve të Uashingtonit do të fitonin mirëfilli shumë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura