Aksioni, 9 sektorët që do të kontrollohen në 300 ditë

Sep 4, 2015 | 11:14
SHPËRNDAJE

Aksioni kundër informalitetit i nisur nga qeveria, do të kalojë në skaner të gjitha bizneset, por veçanërisht në fokus do të jenë nëntë sektorë të ekonomisë. Këtë deklaratë e bëri dje ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, gjatë një kontrolli në terren. Por cilët janë, në fakt, këta sektorë?

Ministri i Financave, Shkelqim Cani
Ministri i Financave, Shkelqim Cani

“Sektorët e shitjes me shumicë, sektori i naftës, mineralet, sektori i mallrave të vlerës, hoteleria, shërbimet. Janë rreth nëntë sektorë, të cilët do të skanohen me kujdes në detaje një për një”, tha ministri.

NISJA
Pikënisje për grupet e punës në terren do të jenë bizneset e mëdha. Të paktën, kështu u shpreh dje ministri i Zhvillimit Ekonomik. Sipas tij, kjo do të bëhet për të pasur pastaj më të lehtë kontrollin e zinxhirit deri te shitësi i pakicës.

“Sigurisht që edhe për hir të konfidencialitetit të punës së sektorit ka një listë të gjatë të tatimpaguesve të mëdhenj, të cilët janë futur në listën e vizitave fiskale. Qëllimi është bashkëpunimi me ta për të rritur transparencën nga një nivel në një nivel akoma më të lartë çdo ditë, në mënyrë që në fund të operacionit, pra, në fund të 300 ditëve, ne të kemi një nivel shumë më të madh të deklarimit të xhiros dhe një nivel shumë më të madh të transparencës së bizneseve të mëdha, të cilat pastaj do të detyrojnë dhe zinxhirin deri te shitësi me pakicë apo tek ambulanti të deklarojnë e të përdorin këtë faturë, e cila është institucion”, tha Ahmetaj.

Ai shtoi më tej se aksioni po jep frytet e veta dhe se aktualisht po shiten 300 kasa çdo ditë, ndërsa më herët pa nisur ky aksion kompanitë shisnin 200 kasa në muaj. Ministri tha se në shtatë muajt e parë të këtij viti është rritur numri i regjistrimeve të kompanive 35 për qind krahasuar me vitin e kaluar dhe vetëm në gusht është rritur numri i të regjistruarve afërsisht me 10 për qind.

CANI
Ministri i Financave e quajti dje aksionin e nisur kundër informalitetit si një reformë që nuk është e re dhe për të cilën qeveria ka nisur punë më herët. I pyetur nga gazetarët ai u shpreh se parapërgatitja e terrenit për këtë 300 ditësh të tretë që do të ketë prioritet informalitetin, ka nisur që në nëntor të vitit të kaluar.

Kreu i Financave theksoi se reforma nisi vetëm tani edhe për hir të disa kushteve të krijuara, pasi më herët qeveria pa të arsyeshme që të shlyente në radhë të parë borxhin që kishte ndaj biznesit dhe më pas të vepronte. Nga data 1 shtator, qeveria deklaroi se nisi aksionin e saj kundër informalitetit dhe 600 grupe me nga dy inspektorë nga katër institucione do të bëjnë kontrollet në çdo biznes.

Këta të fundit do të kontrollohen për NIPT-in, kasën fiskale, lëshimin e kuponëve tatimorë, sigurimin e punonjësve dhe disa detajeve të tjera më specifike. Kjo ndërhyrje vjen pas nxjerrjes së disa të dhënave alarmante nga një sondazh i kryer për matjen e nivelit të informalitetit në ekonomi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura