“Si më akuzoi Petrit Dume se do vrisja Enverin në Paris”

Feb 16, 2012 | 12:13
SHPËRNDAJE

Myftar Tare duke rrëfyer për “Panorama” (Foto Vlasov Sula)

Myftar Tare: Si më ndaluan pas arrestimit të Koçi Xoxes.

“Misteret e panjohura të eliminimit të Koçi Xoxes”

…vijon nga numri i kaluar

Miqësia me Enverin dhe Koçi Xoxen ishte privilegj jo i vogël, por edhe risk i madh. Të jepte dorë për t’u ngjitur në majë, por të fuste edhe shtatë pashë nën dhe’. I ka qëlluar Myftar Tares, ish-numrit dy të Ministrisë së Brendshme i një prej periudhave më të vështira, t’i provojë të dyja: shkëlqimin me bekimin e Hoxhës e Xoxes dhe rrënimin e menjëhershëm nga përplasja e tyre. Megjithatë, shton njeriu që ka ndarë përgjegjësi të përbashkëta me dy liderët historikë të regjimit komunist, deshi Zoti e shpëtova falë një rrethane fatlume. Deri te zbardhja e këtij momenti, Tare sjell një mori ngjarjesh të panjohura nga reagimi i shtetit komunist në fillimet e veta, duke përmendur çaste interesante dhe emra personalitetesh që kanë lënë gjurmë në historinë e vendit. Në përmbyllje të dëshmive për hetimet e para të zyrtarëve shqiptarë për gjenocidin në Çamëri, për regjistrimin e  popullsisë në vitin 1945 dhe përplasjet e delegacionit shqiptar me atë grek në Konferencën e Paqes në Paris, Tare rezervon historinë e veçantë të dramës personale, produktet i rrethanave të miqësisë dhe urrejtjes së dy shokëve të tij të hershëm. I prangosur fill pas arrestimit të Koçi Xoxes, ish-zyrtari i lartë i Sigurimit të Shtetit kujton se është kryqëzuar me lloj-lloj akuzash, madje deri tek ajo se do të vriste Enverin. Po si ndodhi që u vu në sy të ciklonit, kush e denoncoi për atentatin ndaj ish-kreut të Partisë dhe si mundi të shpëtojë funksionari i lartë i shërbimit sekret…?
Zoti Myftar, kur jeni njohur me Enver Hoxhën dhe çfarë kujtoni nga takimi i parë me të?
Për herë të parë me Enver Hoxhën jam takuar më 26 prill të vitit 1943 në fshatin Kuçak të Oparit. Për shkak të angazhimeve politike, kisha dëgjuar më herët për pozicionin e tij në krye të Partisë. Ishin ditë lufte dhe ai vinte aty nga Vlora. Për vizitën e veçantë ishim lajmëruar një ditë më parë, por nuk dinim gjë për problemet që do të konsumonte. Prania e tij veshur me kostum ushtarak dhe një çantë angleze krahaqafë, i jepte një pamje autoritare që bëhej më evidente gjatë bisedës. Na pyeti fillimisht për situatën luftarake, për moralin e forcave partizane, për shtrirjen e lëvizjes në zonë. I raportuam me detaje për çdo gjë, ndërkohë që ngritëm edhe ndonjë kërkesë për nevojat e ngutshme që kishim. Për disa çaste biseduam shtruar për ballafaqimet luftarake, për problemet e partisë në strukturat e lëvizjes, për bazën logjistike etj. Një moment, Enveri iu kthye kujtimeve nga periudha kur kishte qenë në Liceun e Korçës. Aty për aty u interesua për emra të veçantë të ish-mësuesve dhe nxënësve liceistë dhe përfshirjen e tyre në frontin e Luftës Antifashiste. Me shumë syresh, njihesha nga afër dhe i tregova çfarë dija për çdonjërin. Enveri dëgjonte me vëmendje dhe hera-herës pyeste për të saktësuar detaje të veçanta. Në bisedë e sipër konstatova se ai njihej mirë me aktivitetin tim. Madje, mënyra si më drejtohej dhe konsideratat që shprehte, të linin të kuptoje se bashkë njiheshim prej kohësh…
Mbani mend ndonjë detaj të veçantë nga biseda e asaj dite?

Enver Hoxha në Konferencën e Paqes

Një çast teksa rrinim uluar, Enveri hapi çantën dhe nxori prej aty një dysinë dokumentesh. Janë informacionet e qarkorit tuaj, shpjegoi duke i hapur një nga një. Veç saktësisë së përmbajtjes, shtoi, më bën përshtypje kaligrafia e shkëlqyer e shkrimit. Ishte ky momenti ku Enveri shprehu konsideratën për bukurinë e shkrimit tim. Ajo që ai e quante “kaligrafi e përsosur”, “dorë stamp”, me të cilën kisha artikuluar me dhjetëra raporte për drejtuesit e lartë, do të shërbente si një lloj diplome për pozicionet e mëvonshme në forumet e Partisë. I fiksuar pas kësaj, Enveri më kërkoi disa herë për dokumentimin e aktiviteteve të ndryshme. Në Kongresin e Përmetit (maj 1944), me ndërhyrjen e tij, bashkë me Gogo Nushin bëmë regjistrimin e delegatëve dhe dokumentimin e diskutimeve. Një kopje të atij dokumenti e ruaj edhe sot. Në pushimet midis seancave, Enveri vinte në sekretari dhe interesohej për mënyrën si operonim me dokumentat e Kongresit. E kishte merak deri në mani çështjen e shkrimit. Nuk besoj, më thoshte ato ditë, t’i gjesh në botë shoqe kësaj kaligrafisë tënde. Adhurimi për të, me sa duket u bë shkak që Enveri të më bënte më vonë pjesë të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Edhe aty nuk harronte të më kujtonte të shënoja çdo gjë me përpikmëri të madhe. Se e shkruara mbetet, fjalët i merr era, më thoshte me shpoti…
Pra, keni qenë delegat në Kongresin e Përmetit, madje keni mbajtur edhe protokollin e punimeve të tij…
Në Kongresin e Përmetit hyra si delegat, bëra regjistruesin e delegatëve dhe punimeve të tij, por u zgjodha edhe deputet. Aty pata rastin të njihem me shumë personalitete që më vonë u bënë protagonistë të zhvillimeve politike të kohës. Nga takimet e atyre ditëve në Përmet, ruaj përshtypjet më të mira për Manol Konomin. Një burrë i qetë, i shtruar, me kulturë dhe shumë modest. Ndryshe nga një pjesë tjetër e të zgjedhurve që shfaqeshin euforikë e luftarakë, Manoli spikaste për vetëpërmbajtje dhe sjellje të kujdesshme. Ishte kjo arsyeja që e mirëprita zgjedhjen e tij ministër Drejtësie. Në Përmet gjithashtu pata rastin të bisedoj gjatë me Koçi Xoxen, me të cilin njihesha qysh në vitet ‘30. Koçi ishte disi ndryshe nga Manoli, por sidoqoftë dallohej për pjekuri dhe qartësi në shqyrtimin e çështjeve. Ai i përkiste brezit të parë të komunistëve të grupit të Korçës…
Si jeni njohur me Koçi Xoxen dhe çfarë kujtoni nga periudha kur militonit bashkërisht në grupin komunist të Korçës?
Me Koçi Xoxen fillimisht më ka prezantuar Koçi Bakua, ish-kreu i grupit komunist që u vra ditën e themelimit të Partisë Komuniste në demonstratën e organizuar në qytetin e Korçës. Takimi i parë i përket një pasditeje vere të vitit 1938 në kafen e Koçi Bakos. Ata të dy ishin kushërinj të parë dhe të lidhur familjarisht me njëri-tjetrin. Kontaktet me idetë komuniste kishin ngritur te ta një botë tjetër, ku shquhej shpresa e optimizmi. Themeli i filozofisë së tyre ishte përfshirja pa asnjë lloj ndasie në frontin e luftës kundër pushtuesit. Rreth kësaj teme folëm gjatë edhe atë ditë, ku veç nesh ishte dhe Tahir Zavalani, i cili kryente detyrën e të ngarkuarit të KOMITER-nit për Shqipërinë…
Gjatë viteve të Luftës, në çfarë raportesh keni qenë me Koçi Xoxen?

Petrit Dume

Gjatë kësaj kohe kemi pasur takime të pakta. Situatat rrodhën të tilla që nuk na mundësonin kontakte të shpeshta. Koçi Xoxja në prill të vitit ‘42 u burgos e qëndroi aty deri nga mesi i vitit 1943. Konsideratat që vinin për qëndresën e tij në qeli ishin të shkëlqyera. Në radhët e kuadrove të parë të Partisë Komuniste, ai ishte ndër më të devotshmit e atdhetarët. Koçi nuk e njihte kompromisin për çështjet e idealit dhe nuk kursente asgjë nga vetja në shërbim të tij. Pavarësisht çfarë është konsumuar nga propaganda e regjimit të kaluar pas ekzekutimit të tij, ai për mua dhe mjaft nga ata që e kanë njohur nga afër, mbetet një figurë e respektuar…
Mos ndoshta ndikojnë në këtë konsideratë lidhjet shoqërore dhe raportet zyrtare që kishit si ministër dhe zëvendësministër i Brendshëm?
Përkundrazi, miqësia me të dhe më vonë përgjegjësitë e ndërsjella në piramidën e Ministrisë së Brendshme më kanë krijuar mundësinë ta njoh nga afër, prandaj dhe shprehem pa mëdyshje. Koçi Xoxja ishte njeri me bonsens, i ndjeshëm ndaj padrejtësive dhe këmbëngulës në përmbushjen e detyrave, qoftë partiake, qoftë shtetërore…
Atëherë si ndodhi që Koçi Xoxen e kryqëzuan për tradhti dhe agjent të shërbimeve antishqiptare?
Kjo është një histori krejt tjetër me autor e protagonist Enver Hoxhën, i cili e sakrifikoi Xoxen për interesa të mirëfillta politike, të kushtëzuara nga aleatët ideologjikë me qendër në Moskë…
Me një fjalë, Koçi Xoxe nuk ishte agjent i UDB-së…
Në periudhën për të cilën Xoxe akuzohej si i tillë, Enver Hoxha shkëlqente në dashurinë për Jugosllavinë dhe Titon. Është kjo një e vërtetë e padiskutueshme. Ka për të dokumente autentike që e provojnë katërcipërisht, por ka edhe dëshmitarë të dhjetëra e dhjetëra ngjarjeve ku Enveri në emër të miqësisë me Beogradin, nënshkruante edhe akte që binin ndesh me interesat kombëtare. Ky kapitull sa ka filluar të zbardhet, por mendoj se duhet qartësi e objektivitet në shqyrtimin e rrethanave dhe fakteve që prodhoi epoka e dashurisë dhe divorcit me Beogradin.
Kur Koçi Xoxe nuk ishte agjent i jugosllavëve, pse duhej ta sakrifikonte Enveri?
Ka pasur mëdyshje të shumta rreth kësaj çështjeje, madje hera-herës në media konsumohen argumente nga më të ndryshmet. Pjesa më e madhe e arsyetimeve për eliminimin e Koçi Xoxes, i mëshohet idesë së spastrimit si rival pushteti. E thënë më thjesht, sakrifikimi i Xoxes bëhej për t’i prerë rrugën ambicies së tij për të ardhur në krye të partisë. Ky për mua është argumenti më i pabesueshëm. Së pari, në periudhën për të cilën bëhet fjalë, as mund të mendohej tjetërkush veç Enverit në krye të lidershipit komunist. Ndërkaq, mënyra si ishte ndërtuar mekanizmi i funksionimit të partisë-shtet, nuk krijonte as hapësirën më të vogël për ndryshime në lidership pa miratimin e Enverit. Xoxja nuk mund të bënte harakiri e t’i binte murit me kokë. Ca më tepër që ai e njihte si askush tjetër maninë e Enverit për t’i zotëruar të gjitha pushtetet. Deri në çastet e penalizmit absurd, Xoxja ishte bashkëpunëtori më i afërt i Hoxhës, ndër më besnikët e ardhur në krye të partisë nga barrikadat e punëtorisë, siç shprehej ai. Për arsye krejt të tjera, miku im dhe i Enverit shkoi para skuadrës së pushkatimit…
Për çfarë arsyesh mund ta çosh një mik para skuadrës së pushkatimit?
Kryqëzimi dhe asgjësimi i Koçi Xoxes, në atë kohë ministër i Brendshëm, vërtetë u realizua nga Enveri, por urdhërdhënësi ishte tjetërkush. Mund të duket si absurde kjo në pamje të jashtme, por është pikërisht kështu. Mjafton të kujtojmë që në atë periudhë një fund të tillë patën të gjithë krerët e shërbimeve të fshehta të vendeve të Lindjes. Madje, likuidimi i tyre u bë me një fushatë të rrufeshme në harkun e një viti. Asgjësimi në këtë rast kishte lidhje me një direktivë të fshehtë të Kremlinit, i cili fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, urdhëronte fundin e mandatit të ministrave të brendshëm të vendeve aleate. Duke mbyllur historinë e tyre, lidershipi komunist pretendonte një kapitull të ri, me njerëz të rinj në krye të shërbimeve të fshehta, për t’u dhënë rrugë prapësive të tjera. Përfundimisht, atë që pësoi Xoxja në Shqipëri, e pësoi kolegu i tij i Polonisë, Bullgarisë, Rumanisë, Çekosllovakisë, Gjermanisë Lindore etj.
Sakaq, ju ishit zëvendësi i Koçi Xoxes…
Unë isha zëvendësministër i Brendshëm për çështjet e zbulimit të jashtëm dhe kuptohet, nuk mund të shpëtoja paq pas arrestimit të shefit. Qysh të nesërmen e prangosjes së tij(gati 15 ditë Koçi Xoxe u mbajt i izoluar në shtëpi) mua më arrestuan dhe më mbajtën disa kohë të mbyllur në garnizonin e Tiranës. Gjatë kësaj periudhe më adresuan lloj-lloj akuzash për të cilat plumbi ishte pak. Çfarë nuk thanë e për çfarë nuk më denoncuan. Arritën deri aty sa më akuzuan se kisha bërë plan të vrisja Enver Hoxhën…
Kush ju akuzoi se do vrisnit Enver Hoxhën?
Petrit Dumja më akuzoi, një miku im i viteve të luftës, madje me lidhje familjare jo të largëta. E tërë alibia e tij lidhej me praninë time në delegacionin shqiptar të Konferencës së Paqes që u mbajt në Paris në 1946-n. Sipas Dumes, unë isha bërë pjesë e këtij delegacioni me ndërhyrjen e Koçi Xoxes për të realizuar eliminimin e Enverit gjatë qëndrimit në Francë. Ishte ky një absurditet vulgar, jashtë arsyes njerëzore që më mbajti ditë të tëra në makth të jashtëzakonshëm. Nuk e mësova kurrë pse ma bëri këtë “të mirë” miku im nga Kolonja, por di të them që po mos të ndërhynte Enveri, unë do të isha pushkatuar para Koçi Xoxes…
Nga akuza për vrasjen e Enver Hoxhës ju shpëtoi Enver Hoxha…
Ndodhi që për ironi të fatit nga akuza për likuidimin e Enverit më shpëtoi vet Enveri. Gjatë interesimit për zhvillimet e hetimeve të “Grupit të Koçi Xoxes” dikush i vuri në vëmendje edhe akuzën e Dumes për mua. Çuditërisht, atëherë kur të tjerët prisnin një shpërthim të vrullshëm të tij kundër meje, Enveri i qortoi ashpër duke pohuar të kundërtën. Myftarin në Konferencën e Paqes nuk e mora me ndërhyrjen e Koçit, shpjegoi ai duke rrëzuar alibinë e Petrit Dumes, por e kërkova vet si kuadër me integritet që flet frëngjisht. Mjaftoi kaq për të lagur barutin e pushkëve që ishin gatitur për të më vrarë. Sidoqoftë, e gjitha kjo nuk mund të kalonte lehtë…
Ka zëra sipas të cilëve Enveri eliminoi Koçi Xoxen për t’u hakmarrë ndaj vendimit të tij për pushkatimin e Bari Omarit… Diçka e tillë është absolutisht e pavërtetë. Këtë e pohoj me bindje të palëkundur. Personalisht jam dëshmitar i një realiteti krejt të kundërt. Asokohe me Koçi Xoxen, veç njohjeve e miqësisë së hershme, më lidhte natyra e shërbimit dhe detyrës. Koçi Xoxen e kam dëgjuar me veshët e mi, madje jo një herë, duke kundërshtuar ekzekutimin e Bari Omarit. E kam dëgjuar bile duke debatuar edhe me Enverin, i cili këmbëngulte për të mos bërë asnjë përjashtim nga lista e të dënuarve si bashkëpunëtorë të okupatorit. Ky ishte pozicioni i Xoxes ato ditë në vigjilje të procesit famëkeq, i njohur ndryshe si gjyqi special. Kësisoj, Enveri nuk kishte pse të ishte i pakënaqur nga Koçi Xoxe për sa i përket ekzekutimit të kunatit, ndërkohë që procesin e kishte iniciuar vet.
Pra, Koci Xoxja nuk ka gisht në vrasjen e Bari Omarit…
Ekzekutimi i Bari Omarit është bërë me vullnetin e plotë të Enverit, madje pa hezitimin më të vogël. Nuk e kam këtë nga hamendja, por nga ato që kam parë e dëgjuar nga afër. Apsolutisht kështu ka qënë. Komentet e tjera, opsionet e tjera janë trillime. Ato ditë Enveri harriti deri aty sa urdhëroi të shoqen, Nexhmijen për të ndërprerë vizitat te Bariu në burgun e Tiranës. Janë një pjesë e dëshmitarëve ende gjallë. Rron gjithashtu Nexhmija. Le të flasin e të zbardhin misteret e atyre ditëve të mistershme…

Kthimi nga Parisi
Enveri nga Parisi u kthye me avionin personal të Molotovit, kujton Myftar Tare. Më parë, sipas tij, ishte planifikuar të fluturonte me një avion bullgar, por ndërhyrja e Kardelit, kryesuesit të delegacionit Jugosllav në Konferencën e Paqes te përfaqësuesit e Moskës, bëri të mundur ndryshimin e avionit për çështje sigurie. Në Paris, shton i njëjti, pjesës së delegacionit tonë që do nisej në Tiranë iu bashkua edhe Tuk Jakova që vinte nga një vizitë në SHBA. Sigurinë e fluturimit Paris-Vjenë-Tiranë, thotë Tare, e rriste më shumë fakti që dy pilotët e Molotovit ishin heronj të Bashkimit Sovjetik

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura