“President mbi partitë dhe me konsensus sa më të gjerë”

Mar 11, 2012 | 11:46
SHPËRNDAJE
Kreu i LSI, Ilir Meta

Kreu i LSI deklaroi dje që kreu i ri i shtetit të zgjidhet me konsensus sa më të gjerë.

“Konsensusi, i nevojshëm, por jo të mbetemi pa President”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje nga Kuçova se Presidenti i ri i Republikës duhet të jetë një figurë që të qëndrojë mbi palët dhe interesat e partive politike. Gjatë një takimit të zhvilluar me anëtarësinë e LSI-së në qytetin e Kuçovës, Ilir Meta theksoi se kandidati për postin e kreut të shtetit duhet të zgjidhet me konsensus sa më të gjerë. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka shmangur pyetjet nëse LSI do të paraqesë një kandidaturë që derivon nga kjo parti për garën presidenciale. “LSI-ja është në shërbim të procesit, që të jetë një proces sa më konstruktiv. Një proces sa më transparent dhe kemi nevojë për një figurë që të garantojë funksionimin e institucioneve, modernizimin e pandërprerë të tyre dhe për një figurë që të qëndrojë mbi partitë dhe interesat e tyre”, deklaroi kreu i LSI-së.
Konsensusi
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka shmangur pyetjet e gazetarëve lidhur me një mbështetje të mundshme për kandidaturën e vetëshpallur të Fatos Nanos për postin e kreut të shtetit. Sipas kreut të LSI-së, konsensusi midis palëve për zgjedhjen e një kandidature të përbashkët do të ishte rasti ideal, por jo një pengesë për të plotësuar me një emër postin e Presidentit. “Konsensusi është i nevojshëm dhe natyrisht i mirëpritur, por e theksoj që konsensusi nuk mund të jetë një mënyrë për të mbetur pa President, që do të thotë se në çdo rast ne do të kemi një President të zgjedhur me Kushtetutë. Unë do të dëshiroja që ai të zgjidhet me një konsensus sa më të gjerë”, deklaroi kryetari i LSI-së. Për Metën, vendi do të ketë në kohën e duhur Presidentin e tij të ardhshëm në përputhje më Kushtetutën. “Shqipëria do të ketë patjetër Presidentin e saj në kohën e duhur, pra e kam fjalën për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm, sepse është një zgjedhje e pashmangshme për shkak edhe të Kushtetutës dhe bazuar mbi Kushtetutën”, pohoi Meta.
Zgjedhjet
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka kërkuar nga baza e partisë që të përgatitet për zgjedhjet e vitit 2013. Sipas Metës, LSI do të jetë një forcë politike që do të kontribuojë në qeverisjen e vendit për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. “Ne do të përgatitemi të jemi të fortë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, ku LSI në këto zgjedhje do të ketë dinjitetin e saj politik dhe njëkohësisht do të radhitet si një forcë politike me dinjitet të lartë”.

Kandidimi
Brenda muajit mars, Lëvizja Socialiste do të organizojë tri konventa për zgjedhjen e forumeve të reja të gruas, rinisë dhe të postit të kryetarit. Ilir Meta theksoi se do të kërkojë një votëbesim të anëtarësisë së LSI-së dhe se për të garuar përballë tij janë të mirëpritur të gjithë anëtarët e kësaj force. “Kushdo që ka dëshirë të përmirësojë gjërat në LSI, është i gatshëm të vijë të konkurrojë. Kushdo që është i shqetësuar për fatet e demokracisë në LSI, është i mirëpritur”, theksoi Meta.

Rikthimi në qeveri
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, theksoi se do të japë kontributin e tij në Komisionin Parlamentar të Integrimit dhe se nuk do të ketë një rikthim në kabinetin qeveritar. “Kjo është një pyetje së cilës unë i jam përgjigjur duke aderuar menjëherë pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor në Komisionin Parlamentar të Integrimit Europain. Mendoj se ka qenë një mesazh i qartë për të gjithë. Ky është prioriteti i Ilir Metës, ky është edhe prioriteti kryesor i LSI”, deklaroi ai.

Shëndetësia
Kreu i LSI-së i ka cilësuar si absurde deklaratat e kreut të PS-së, Edi Rama, për dhënien falas të shërbimit shëndetësor. Ilir Meta i ka cilësuar si politika anti-shtet deklaratat e PS-së, pasi sipas tij, socialistët në asnjë rast nuk deklarojnë se ku do t’i gjejnë të ardhurat për të investuar në sistemin shëndetësor.

Ritmi i ri
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje se qeveria ka nevojë për një ritëm të ri dhe të shpenzojë sa më pak kohë në replika me opozitën. Gjatë një interviste përballë gazetarit Alfred Peza, Meta komentoi dhe deklaratën e ambasadorit Arvizu për një lodhje të qeverisë. “Nuk kam pasur rastin ta ndjek drejtpërdrejt intervistën e ambasadorit Arvizu, por unë besoj se është e rëndësishme që qeveria të krijojë një ritëm të ri, të ketë prioritete edhe më të qarta, të harxhojë më pak kohë me replika me opozitën”, deklaroi Meta.

DILAVER XHELILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura