“Ndeshje e madhe, prisnim një tjetër Debrecen”

Jul 19, 2012 | 14:41
SHPËRNDAJE
Daniel Xhafaj

“Ishte një ndeshje e madhe për ne, prandaj dhe Debreceni u duk aq keq në fushë”. Kështu shprehet sulmuesi kryesor i Skënderbeut, Daniel Xhafaj, një ditë pas fitores historike të korçarëve në Ligën e Kampioneve. Duke gjykuar më ftohtë 24 orë më pas, vlonjati pranon për “Panorama Sport” se nuk i shkonte ndërmend që hungarezët të ishin të atij niveli. “Skënderbeu ishte perfekt në fushë, por të them drejtën ne nuk kishim fat. Ndeshja duhet të përfundonte të paktën 3-0. I kishim parë kundërshtarët në takimin e Superkupës që ata zhvilluan pak ditë më parë, por kurrsesi nuk mendoja se do t’i mposhtnim në të gjitha aspektet. Kemi luajtur një ndeshje vërtet të madhe. Ishin 90 minuta të çmendura, ku dominuam totalisht. Nuk pashë që Debreceni të na rrezikonte seriozisht portën. Kjo është diçka që duhet vlerësuar. Jam i bindur se edhe kundërshtari e ka pranuar humbjen, madje ka fërkuar duart që nuk pësoi më shumë. Personalisht ndiej keqardhje që nuk shënova, por duhet të dimë që në këto momente nuk kanë aspak rëndësi gjërat personale. Shpresoj që të kalojmë turin, por besoj se na pret një ndeshje shumë e vështirë. Kualifikimi tashmë është në dorën tonë. Jemi me moral të lartë dhe, nëse arrijmë të shënojmë edhe në Hungari, atëherë do të jemi shumë më të qetë. Tashmë duhet të administrojmë më së miri rezultatin e ndeshjes së parë. Nuk duhet t’i zëmë besë hungarezëve, për më tepër që ata do të luajnë në fushën e tyre dhe sigurisht do të kërkojnë revanshin”,- është shprehur sulmuesi veteran.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura