“Çfarë bisedoi Kadri Hazbiu me Fiqrete Shehun para trupit të pajetë të Mehmetit”

Aug 10, 2011 | 11:13
SHPËRNDAJE
ISH-KRYEMINISTRI MEHMET SHEHU ME ENVER DHE NEXHMIJE HOXHEN

Aq sa shtjellohen ngjarjet e mëngjesit të 18 dhjetorit 1981 në vilën e Kryeministrit nga Ali Çeno, ish shef i grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut, për hetuesit e çështjes “Hazbiu”  mbeten deri në fund të paqarta e të veshura me mister.

I thirrur disa herë për të shpjeguar rrethanat si është njohur me lajmin e vetëvrasjes së Mehmetit, njeriu që i ka garantuar jetën Kryemnistrit dhe familjarëve të vet, është detyruar të dëshmojë me detaje skenën e tmerrshme, kur ka parë trupin e pajetë të Mehmet Shehut në vilën e tij. Pas telefonatës së Vladimir Shehut në orën tetë të mëngjesit, kujton Çeno, shkova në vilën e Kryeministerit, u njoha me ngjarjen dhe telefonova Ramiz Alinë dhe Çule Çirakun. Pastaj mbërriti aty grupi i ekspertëve me pajisjet përkatëse. Dëshmia e ish-bodigardit të Mehemt Shehut, marrë nga libri i Kastriot Dervishit “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, zbulon përjetimet e çasteve të para në mëngjesin e 18 dhjetorit ’81 në vilën e Kryeministrit, reagimet e familjarëve dhe “myasfirët” që u gjendën menjëherë në shtëpinë e Mehmet Shehut pas lajmit të vetëvrasjes. Çështja më e debatueshme që Çeno ka konsumuar në ligjëratën para hetuesve dhe në procesin gjyqësor ka qënë ajo e vizitës së fshehtë të Feçor Shehut dhe Kadri Hazbiut në vilën e Mehmetit, disa orë para aktit të vetëvrasjes. Në vijim të interesimit të hetuesve, të tjerë dëshmitarë, kryesisht nga radhët e punonjësve të shërbimit të familjes Shehu dhe ekspertëve që kanë këqyrur trupin pa jetë të Mehmet Shehut, kanë rrëfeyer për çfarë kanë parë e dëgjuar natën e vetëvrasjes së Kryeministirit. Njëri pas tjetrit, dëshmitarët Farije Koçiraj, Llesh Rroku, Milto Kristaqi, Vasal Afezolli, Fatos Harito, Bashkim Çuberi e Elham Gjika kanë pohuar në Hetuesi përjetimet e tyre nga ngjarjet në vilën kryeministrore, natën e 17 dhjetorit dhe mëngjesin e 18 dhjetorit 1981…
Dëshmia në Hetuesi
Hetuesia ndaj përgjegjësit të rojeve të Mehmet Shehut, Ali Çeno, zhvillohet nga hetuesit Flamur Çato dhe Sokol Koleka, më 2 tetor 1982 deri më 13 korrik 1982. Edhe kjo është hetuesi e përgatitur nga akuza, sipas dëshirës së saj. Ali Çeno “i pranon” akuzat se ka kryer “veprimtari armiqësore për të goditur vijën e Partisë së Punës së Shqipërisë e për të përmbysur diktaturën e proletariatit”. Hetuesia ndaj Çenos zhvillohet fillimisht në Elbasan, pasi qendra e tij e banimit ishte në Cërrik. Për mëngjesin e 18 dhjetorit 1981, në shtëpinë e Mehmet Shehut, Çeno dëshmon se e ka thirrur Vladimir Shehu në orën 8.00 të mëngjesit. Në korridor, Bardha, gruaja e Vladimirit, po ulërinte: “Obobo, babi”. Ka hyrë brenda dhe ka parë Mehmet Shehun të mbuluar me batanije, deri në grykë. I ka matur pulsin dhe ka vërejtur se nuk punonte. Pistoleta ishte mbi batanije. Vladimiri kishte marrë letrën që kishte lënë Mehmet Shehu, duke e cilësuar personale atë. Vladimiri nuk pranonte ta jepte. Ali Çeno i ka thënë që të mos e hapte. Aliu ka marrë në telefon drejtorin e Drejtorisë së Dytë të Sigurimit të Shtetit, Xhule Çiraku dhe më pas ka njoftuar sekretarin e KQ të PPSH-së, Ramiz Alia. Feçor Shehun ishte e pamundur ta kapte në telefon. Pas kësaj kishte marrë në telefon Feçorin dhe ky i ishte përgjigjur: “Mirë, o, mirë”. Si duket, Feçori duhet të ishte informuar nga Xhulja. Kadri Hazbiu ia ka behur në shtëpi pas 10-15 minutash. Kishte hyrë në dhomën e Mehmetit, ishte dridhur e pastaj kishte shkuar për të takuar Fiqretin. I ishte drejtuar Fiqretit me fjalët: “Pse o Fiqrete, e bëri kështu këtë punë? Mehmeti s’duhej të vriste veten, se  Byroja Politike, e shumta një vërejtje në kartën e regjistrimit do t’i jepte”. Fiqretja ishte ngrirë, qante, por lot nuk nxirrte. Kadriu kishte pyetur në kishte lënë apo jo ndonjë letër, por Fiqretja nuk përgjigjej. Në këtë moment, Vladimiri ka ndërhyrë, duke i thënë se letrën e kishte ai. Kadriu e ka marrë letrën nga Vladimiri, pa e hapur nga zarfi. Kadriu mori letrën, e palosi më dysh, e futi në xhep dhe u largua. Pas kësaj ia kanë behur dy zëvendësministrat dhe grupi operativ me Elham Gjikën. Hetuesia e Ali Çenos zhvendoset në Tiranë më 1 dhjetor 1982 dhe çështja pasohet nga hetuesit Sokol Koleka dhe Bashkim Caka. Dëshmitarit i kujtohej një rast në vitin 1975, kur Mehmet Shehu i kishte marrë pistoletën me një plumb. Pas pak, në zyrën e tij kishte ardhur Kiço Ngjela. Pasi Mehmet Shehu i kishte komunikuar shkarkimin, Ngjela kishte dalë i zverdhur nga zyra e Kryeministrit. Dëshmitari vazhdon të thotë se pistoletën “Makarov” me porosi të Mehmetit e kishte marrë pas prishjes së fejesës së Skënderit tek Nazar Berberi. Në fund, Ali Çeno nuk i pranon akuzat që i bëhen.
Pohimet në gjyq
Ali Çeno pohon me gojën e tij apologjinë se ishte një nga pjesëtarët e “organizatës antirevolucionare që kryesonte kryetradhtari Mehmet Shehu, të përbërë nga armiqtë e Partisë e të popullit, shpirtzinjtë Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Mihallaq Ziçishti, Fiqret Shehu etj”, që kërkonin të përmbysnin diktaturën e proletariatit dhe të vendosnin një rend borgjez-revizionist”. Nuk harron Çeno të përmendë në apologjinë e tij se kishte qënë përgjegjës i Sigurimit të “poliagjentit, tradhtarit, armikut dhe xhelatit Mehmet Shehu”. Ai e hiqte veten se u kishte shërbyer tërthorazi “agjenturave të huaja”. Pastaj, në këtë fjalë gjen “armiq të betuar”. Në funksion të asaj që kishte thënë akuza, Çeno thotë se më 16 tetor 1981 dhe një ditë më pas në shtëpinë e Mehmet Shehut kishin ardhur përkatësisht Feçor Shehu e Kadri Hazbiu. Feçori ishte shoqëruar nga Besnik Kasa. Më 17 dhjetor 1981, Çeno thotë se Mehmeti ishte bërë “si pulë e lagur”. Mjeku i Mehmetit, Llesh Rroku, kishte përcjellë porosinë e Mehemt Shehut që kishte pyetur kush ishte me shërbim. Atë natë ishte Dashamiri dhe Pëllumbi. Çeno thotë se Kadriu ka ardhur në darkë, afër orës 19:00, me një çantë si dosje në dorë. Ishte përshëndetur me të, por i kishte thënë që të mos i thoshte njeriu. Çeno bënte deklarata se njerëzit më të afërt të Mehmet Shehut ishin Kadri Hazbiu, Llambi Peçini dhe Gani Kodra. Ai akuzon se ka dëgjuar nga një person tjetër se janë vrarë njerëz me urdhër të Llambi Peçinit. Por, ky i fundit pyet nëse dinte ndonjë emër. Çeno pohon se e kishte me të dëgjuar e nuk mund të thoshte gjë. Feçori, i akuzar nga Çeno, përgjigjej: “Unë nuk jam në mbrojtje të Mehmet Shehut, ai është armik i tërbuar i Partisë”. Ndërsa Ali Çeno duke harruar për një çast pozitën e tij, i thotë se në bazë të dokumeteve Feçori kishte ndihmuar fejesën e Silvës (Turdiut-shënim), duke harruar se ai (Aliu) nuk kishte akses në posedimin, analizën dhe interpretimin e dokumenatve. Kadri Hazbiu hedh poshtë të ketë qënë mbrëmjen e 17 dhjetorit 1981 në shtëpinë e Mehemt Shehut.

Dëshmitë e Mysafirëve të fundi në shtëpinë e Kryeministrit

Farije Koçiraj
E vitlindjes 1937, nga Drashovica, dikur punëtore në shtëpinë e Mehmet Shehut, atë çast kameriere në birrarinë “Adriatiku”, dëshmonte më 13 janar 1983 për udhëtimin jashtë shtetit me Fiqreten. Të enjten e 17 dhjetorit ’81, ajo ka shërbyer në shtëpi, ndërsa dy të tjerë kishin qënë pushim. Dëshmitarja i ka bërë kafen e asaj dite Mehmetit. Përshtypje i ka bërë fakti se Fiqreteja e ka përcjellë Mehmetin deri tek dera, kur ky shkonte në mbledhjen e pasdites së Byrosë, veprim që ajo nuk e bënte më parë. Në mbrëmje, Mehmeti nuk e kishte prekur fare ushqimin. Dëshmitarja ka ikur në darkë në shtëpinë e saj. Të nesërmen është paraqitur në punë në orën 6.30. Kafen e darkës ia kishte çuar Mimoza. Vladimiri dhe Fatbardha po i thoshin Fiqretes pse e bëri këtë Mehmeti, nuk duhej të vriste veten etj. Ali Çeno, duke iu drejtuar Fiqretes dhe Vladimirit, kishte kërkuar letrën e lënë nga Mehmeti, pasi do vinin ta merrnin “ata shokët”. Ajo thoshte se kishte parë një valixhe të vogël që Mehmeti nuk e ndante nga dora, por që më vonë nuk e kishte parë më.

Llesh Rroku
I vit1indjes 1949, mjeku personal i Mehmet Shehut për 4 vjet dëshmon më 8 prill 1983 për dy ditët të fundit të jetës së Mehmet Shehu. Ai kishte qenë me të gjatë mbledhjes së Byrosë Politike (natyrisht jo në sallën e mbledhjes). Mehmeti kishte pasur tension të lartë. Kjo mbledhje kishte mbaruar në ora 14.30. Pasi është larguar për në shtëpi, e ka vizituar prapë në shtëpi në orën 15.45. Mehmeti e kishte sërish tensionin e lartë, por të rënë pak. Mehmeti, gjithnjë me                                                                                                                                                                                                             kostum, ka dalë nga shtëpia pasdite për zhvillimin e mbledhjes. Mbledhja ka mbaruar në orën 20.30, ndërsa tensioni i Kryeministrit ishte gjithnjë i lartë. Të dy mjekët, dëshmitari dhe Milo Kostaqi kanë qëndruar atë natë në dhomë. Mehmeti ka pyetur kush ishte me shërbim e më pas ka kërkuar Ali Çenon të vijë e të rrijë aty atë natë. Të dy mjekët, Ali Çeno, Dashamir Rama dhe Pëllumb Rusta, kanë qëndruar atë natë aty. Pas orës 24.00 kanë fjetur. Duke u gdhirë 18 dhjetori 1981, djali i madh i Mehmetit, Vladimiri, ka kërkuar Ali Çenon të ngjitet lart në dhomën e Mehmet Shehu. Pas 4-5 minutash ka kërkuar të vijnë edhe mjekët lart. Këta janë ngjitur së bashku me ndihmësmjekun Nestor Lezho. Mjekët janë ngjitur në katin e dytë, derën e kanë gjetur hapur. Mehmeti ishte i mbuluar deri në grykë me batanije, me sytë nga tavani, i zverdhur, i ftohtë. Kishte dalluar pistoletën mbi batanije dhe njollën e gjakut në të majtë të trupit. Dëshmitarit i ka bërë përshtypje se studioja e Mehmetit ishte hapur. Para ardhjes se grupit hetimor, Kadri Hazbiu ka ardhur në shtëpi. Është futur në dhomën e gjumit, së bashku me Aliun dhe Vladimirin. Ka takuar Fiqreten.
Fatos Harito
I vitlindjes 1937, ekspert mjeko-ligjor, dëshmonte më 15 prill 1983 për çështjet e ekspertimit të trupit te Mehmet Shehut. Në dallim nga dëshmitë e tjera, ai thotë se kufoma ka qenë e zbehtë, e mbuluar me batanije deri në grykë, mbi të cilën ishte hedhur pistoleta. Ora e ekspertimit ishte 9.10 e 18 dhjetorit 1981. Mbi tavolinë kishin qenë një tufë çelësash.
Bashkim Çuberi
I vitlindjes 1923, ekspert mjeko-ligjor vazhdonte rrëfimin më 15 prill 1983 për ditën kur kishin bërë ekspertizën e trupit të Mehmet Shehut.
Milto Kristaqi
I vitlindjes 1934, ish-mjeku i Mehmet Shehut dëshmonte më 18 prill 1983 se Kryeministri kishte tension shumë të lartë dy ditët e fundit të jetës së tij, tension që nuk e kishte pasur asnjëherë. Pas mbarimit të mbledhjes, në darkë, Llesh Rroku e kishte pyetur dy herë në kishte mbaruar apo jo mbledhja, por Mehmeti nuk i kishte kthyer përgjigje. Kur kishte vërejtur se ishin përpara një akti vetëvrasjeje, dëshmitari e ka kthyer gjendjen siç ishte, duke e mbuluar sërish me batanije Mehmet Shehun.   Dëshmitari kishte dëgjuar Kadri Hazbiun, që i kishte thënë Fiqretes se Mehmeti ishte kritikuar në mbledhje, por vetëvrasjen nuk duhej ta kishte bërë.
Dhimitër Beshiri
I vitlindjes 1941, atë çast përgjegjës i Hetuesisë në Përmet, dëshmonte më 18 prill 1983 se kur kishte ndodhur “vetëvrasja e Mehmet Shehut”, kishte qenë zv/kryetar i degës së parë të Drejtorisë së Hetuesisë në Tiranë. Ka qenë duke zhvilluar një mbledhje me drejtorin Elham Gjika për një çështje, kur mbledhja është ndërprerë. Së bashku me Elhamin dhe Koço Josifin kanë shkuar në zyrën e ministrit Feçor Shehu, por ky i ndodhur në zyrë me Bato Karafilin, i shqetësuar, i ka thënë të largohen.   Makina e hetuesisë ka shkuar në godinën në krah të Komitetit Qendror, ish MPJ-ja. Ata kanë pritur aty deri gjysmë ore. Më pas Elhami është kthyer dhe i ka çuar tek shtëpia e Mehmet Shehut, ku kanë marrë lajmin se ai “kishte vrarë veten” dhe prandaj duhej bërë ekspertiza. Dëshmitari ngre dyshime për lëvizjet e Elhamit brenda shtëpisë së Mehmetit.
Vasal Afezolli
I vitlindjes 1922, ish-shef i klubit “Dinamo” në vitet 1979-1982, dëshmonte më 18 prill 1983, se një ditë para se ky ekip i volejbollit të femrave të nisej për në Çekosllovaki, e kishte thirrur Feçor Shehu, me të cilin kishin udhëtuar në makinë, për ta pyetur për Silva Turdiun. Feçori i kishte thënë se ishte siguruar dalja jashtë shtetit e saj, pasi Komiteti Qendror dhe Kryeministria nuk kishin qenë dakord që ajo të dilte jashtë. Në korrik 1981, në një takim ku ishte i pranishëm edhe punëtori operativ që mbulonte klubin “Dinamo”, Pandeli Pando, Feçori kishte kritikuar këtë të fundit pse nuk vinin anët pozitive, por vetëm ato negative në karakteristika. Disa muaj pas prishjes së fejesës, Feçori e kishte thirrur në zyrë, ku i kishte thënë se si shef klubi duhej të ndiente përgjegjësinë e tij. Pasi Silva Turdiut i kishte dalë bursa për të vazhduar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, Kreshnik Tartari i kishte thënë se Feçori kishte ndërhyrë për t’i dalë kjo e drejtë.
Elham Gjika
I vitlindjes 1939, nga Terbaçi, ish-drejtor i Hetuesisë, i dënuar për shpërdorim detyre, i burgosur në Spaç, dëshmonte më 11 prill 1983 se nuk kishte dyshuar për asnjë çast se Feçor Shehu kishte qenë armik i partisë. Pastaj pyetet për “çështjen e thikave”, atë të çarjes së gomave të makinave të huaja. Pastaj Elhami ndalet në çështje të hetuesisë, bisedat që kishte bërë me Feçor Shehun etj. Herën e dytë dëshmitari pyetet më 22 prill 1983 për çështjen e ekspertimit të trupit të Mehmet Shehu. Më 18 dhjetor 1981, ai ishte paraqitur tek ministri Feçor Shehu, i cili i kishte dhënë lajmin. Menjëherë Gjika ka thënë: “Të rrojë Partia dhe shoku Enver!” “Ata të rrojnë!” – ia ka kthyer Feçori. Ky i fundit i ka thënë të krijonte grupin hetimor e të shkonte tek ish-godina e MPJ-së, ku e priste Xhule Çiraku. Ka njoftuar Dhimitër Beshirin dhe së bashku me Estref Myftarin e Koço Josifin, janë nisur për tek vendi i caktuar. Atje i janë bashkuar edhe mjekët ligjorë, Bashkim Çuderi dhe Fatos Harito. Xhule Çiraku ka hapur derën e dhomës së shtëpisë së Mehmet Shehut. Ky i fundit është gjetur me batanije mbërthyer deri në grykë e pisto1etën mbi batanije. Nuk ishte bërë as këqyrja e banjës dhe as e dollapit të rrobave. Pas përfundimit të punës, së bashku me Raqi Ifticën, Xhule Çirakun dhe Estref Myftarin, kishte bërë mbylljen e dhomës.
Dëshmitari kundërshtonte thënien se kishte marrë apo fshehur ndonjë send nga dhoma e Mehmet Shehut. Për mungesën e bërjes së autopsisë së trupit, dëshmitari pohonte se nuk ishte bërë autopsia me porosi të Feçor Shehut, “se ashtu ishte porosia”.

Ali Çeno

Ali Çeno, i vitlindjes 1943, është përzgjedhur nga kryeministri Mehmet Shehu në vitin 1973 nga radhët e oficerëve të ushtrisë për të kryer detyrën e kreut të grupit të shoqërimit të tij. Pas vetëvrasjes në kushte të dyshimta të Shehut, Çeno është transferuar nga Ministria e Brendshme në një repart ushtarak në Cërrik. Me fillimin e hetimeve “të grupit armiqësor të poliagjentit Mehmet Shehu”, është arrestuar dhe i është bashkangjitur të kryeqzuarve të tjerë, të akuzuar e të dënuar si pjesëtarë “të organizatës antirevolucionare që do përmbyste pushtetin popullor.” U dënua  me 15 vite burg për të fituar lirinë në vitet 1990. Aktualisht pesionist, jeton në Tiranë.

Vijon…

 

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura