“Ajo e pakëputura”, simbolika e jetës nën diktaturë

Sep 17, 2012 | 14:48
SHPËRNDAJE

Ajo është e bukur, vjen nga një familje e shkolluar, por… ka një “njollë në biografi”. Kjo e bën të duket edhe më e brishtë, teksa robtohet në punët më të rënda të kooperativës, por ajo nuk tutet. Kalbëzimi moral i një sistemi, mbijetesa, ndjenja e pastër që lind në një ambient mbytës, vijnë përmes romanit “Ajo e pakëputura” e shkrimtarit Ndue Lleshaj, botim i shtëpisë botuese “Geer”. Prej pak kohësh ai ka rënë në duart e lexuesit, i cili diku, në njërën apo tjetrën situatë, në njërin apo tjetër personazh do të gjejë veten apo dikë që ka njohur gjatë jetës. Duke qenë një njohës shumë i mirë i zonës së Mirditës e krahinave të tjera të veriut, si mësues, Ndue Lleshaj ka hyrë thellë në botën e malësorit, karakterin, mentalitetin dhe nuk e ka të vështirë që të vizatojë personazhet që lëvrijnë në romanin e tij. Ai na evokon nj periudhë të errët të historisë së popullit shqiptar, atë të diktaturës, ku biografia vendoste për fatin e njeriut. Në qendër të romanit është Dordolina, e bukur, e shkolluar, por nga një familje e persekutuar. Ajo ëhstë e martuar me Velanin, një njeri i thjeshtë, fshatar, me profesion shofer. Ata kanë një djalë që quhet Diti. Ndërsa ajo robtohet në punë në kooperativë, si një hije mbi jetën e saj shfaqet Ukë Baltosi, instruktor partie, i cili tashmë ka vetëm një qëllim shtazarak, të “shtjerë në dorë” Dordolinën e bukur. Qysh nga emri që Lleshaj i ka vënë inspektorit, “Baltosi”, mund të kuptohet karakteri i shëmtuar i këtij njeriu, por edhe sistemi që i “fabrikonte” ata. Po kaq simbolikë janë edhe emra e personazheve të tjerë, si Luana, Hekurani, Zekë Turtulleci, Gegë Ashta, etj., të cilët flasin shumë për personazhet që i mbajnë. Historia e Dordolinës mund të jetë ajo e çdo shqiptari nën diktaturë, që lumturinë e vet të pajetuar e sheh tek lumturia e të birit dhe fëmijëve të tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura