‘Diktatura,dëmshpërblim të izoluarve në psikiatri’

Mar 6, 2012 | 11:23
SHPËRNDAJE

TIRANË- Qeveria ka vendosur të shtojnë në listën e atyre që përfitojnë dëmshpërblim në kuadër të ish të dënuarve të regjimit diktatorial, edhe kategorinë e atyre që u izoluan në spitalet psikiatrike të vendit me gjyqe politike.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se dosjet e plota dhe kartelat e tyre ekzistojnë dhe ka kërkuar nga Ministri i Drejtësisë t’i shtohen me urgjencë listës së përfituesve.

“Dua të trajtoj sot një problem madhor, themelor të shoqërisë shqiptare në këtë 100 vjetor të pavarësisë së vendit dhe ky problem është ndarja e shoqërisë nga kalvari i egër 45 vjecar që përjetuan shqiptarët. Sot ne kemi një vendim të qeverisë për dëmshpërblimin e një kategorie tjetër të ekzekutuar apo vdekur në hetuesitë e egra të sigurimit të shtetit, por në këto kategori ministër i Drejtësisë të shtohen të gjithë qytetarët, që u ndrynë për bindje politike në spitalet psikiatrike”- tha Berisha.

Sipas kreut të qeverisë, spitalet psikiatrike të Elbasanit dhe Vlorës u përdorën njëkohësisht si burgje për kundërshtarët politikë.

“U ndrynë me qindra qytetarë, vetëm se ato shprehën pikëpamjet kundër regjimit. Kjo praktikë ka vazhduar gjatë gjithë komunizmit, është zhvilluar mbi bazën e gjyqeve të caktuara ndaj këtyre qytetarëve”- tha ai, duke garantuar dëmshpërblim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura